Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi u nda sot nga jeta në moshën 86-vjeçare.
Përveçse një politikan, Berlusconi njihej dhe për përfshirjen e tij në botën e sportit, veçanërisht në futbollin italian.
Berlusconi për 31 vite, nga 1986 -2017 ishte presidenti i Milanit në Serie A, ekip me të cilin fitoi 29 trofe. Mesatarisht me një trofe në vit, “Kavalieri” la gjurmë në futbollin italian dhe evropian. Ai nuk u ndal me milanezët, pasi viteve të fundit ai mori nën komandë klubin tjetër italian, Monzën, ekip i cili luan në elitën e futbollit.
Fillimi në botën e sportit për Berlusconin përkon me marrjen e të drejtave për të transmetuar “Mundialito”, që sheh Milanin, Interin, Santos, Feyenoord dhe Penarol në fushën e “San Siro”.
Më 1982, grupi u zgjerua me blerjen e “Italia 1” nga botuesi Edilio Rusconi dhe “Rete 4” më 1984 nga grupi botues “Arnoldo Mondadori Editore” (në atë kohë kontrollohej nga botuesi Mario Formenton).
Më 20 shkurt 1986, Berlusconi e shpëtoi Milanin nga falimentimi, duke e hequr nga humnera në të cilën kishte rënë me Giussy Farina.
Me të në krye, Milani fitoi 8 tituj të Serie A, një Kupë Italie, 7 Superkupa Italiane, 5 Liga Kampionësh, 2 Kupa Ndërkontinentale, 5 Superkupa Europiane dhe një Botëror për Klube. Pra, fitoi gjithsej 29 trofe zyrtarë në 31 vite.