Më 29 dhjetor mbushen plot 8 vite nga incidenti i Michael Schumacher, ku kampioni i shumëfishtë i Formula 1 mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti me ski në Meribel.

Ajo që dihet është se pas aksidentit, ish-piloti gjerman i Ferrarit u vendos në koma të induktuar, ndërsa ndër vite është mësuar shumë pak mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe e gjitha për shkak të zgjedhjes së bashkëshortes, Corina që ka kërkuar të ruajë privatësinë dhe dinjitetin e familjes së saj.

Ish-administratori i deleguar i Ferrari-t Jean Todt është ndër të paktët persona që Corina ka besim dhe e lejon të takohet me Michael. Todt rrëfeu se është takuar së fundmi me të në shtëpinë që çifti ka në Zvicër, ku Schumi po mundohet të rimarrë veten plotësisht.

Në një intervistë të dhënë për Bild, Todt tha se sa thelbësor ka qenë roli i Corinas në mbijetesën e Michael.

“Kam kaluar shumë kohë me të që prej incidentit të 29 dhjetorit 2013. Është një grua e mrekullueshme, e fortë dhe drejton familje. Falë punës së mjekëve dhe të Corinas Michael është gjallë, edhe pse me pasoja”, thotë ai.

Todt nuk rrëfeu se cilat janë pasojat, por shpjegoi se për momentin ish-piloti i Formula 1 po lufton për kalimin e këtyre pasojave.

“Për momentin po luftohet kundër këtyre pasojave. Shpresojmë që situata të përmirësohet, edhe pse ngadalë. Pas 7 vitesh e 8 muajsh Schumacher duhet ende që të luftojë për të rigjetur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë, me sigurinë që familjen dhe miqtë do t’i ketë gjithmonë në krah për të luftuar së bashku me të”, tha Todt.

Familja dhe miqtë nuk kanë zbuluar për asnjë moment se cilat janë pasojat e incidentit, por ndër vite ka pasur dyshime dhe artikuj hamendësues në disa media, sipas të cilëve Michael Schumacer ka mbetur i paralizuar, flet më vështirësi dhe është pak i vetëdijshëm.