Javët e fundit në qendër të vëmendjes vazhdon të jetë Cristiano Ronaldo. Por jo për bëmat e tij brenda fushës së gjelbër, siç ishte deri para disa vitesh.
Megjithatë, super ylli portugez është në qendër të shumë diskutimeve për shkak të qëndrimit të tij jashtë fushës. Nuk është më sekret: trajneri Erik ten Hag nuk e konsideron atë në qendër të projektit të tij te Manchester United.
Aq sa, në Premier League, kampioni nga Madeira ka qëndruar pothuajse gjithmonë në stol gjatë kësaj pjese të parë të sezonit, madje edhe në ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme si derbi me City-n.
Ronaldo prej disa kohësh nuk e ka fshehur njëfarë zhgënjimi për shkak të kësaj situate dhe në këtë kuptim reagimi i CR7 në fundin e ndeshjes ndaj Tottenham-it, të fituar 2-0 nga Djajtë e Kuq, ka shkaktuar disa polemika.
Edhe pse shokët e tij të skuadrës po mposhtnin rivalët e tyre londinezë, 37-vjeçari përsëri preferoi të mos mbështeste deri në fund ‘Djajtë e Kuq’, duke refuzuar të hynte në fushë dhe duke u kthyer para fundit të ndeshjes në dhomat e zhveshjes (dukshëm i zhgënjyer).
Nga kjo erdhi dënimi i rëndë nga klubi anglez, me Ronaldo-n jashtë skuadrës dhe të përjashtuar për sfidën e madhe në kampionat kundër rivalëve të Chelsea-t. Si të dilet nga një situatë e tillë? Ndoshta, në këtë pikë, zgjidhja e vetme është lamtumira, për të shmangur më tej skena të tilla.
Nuk mund të përjashtohet, në fakt, që Ronaldo mund të marrë një rrugë tjetër tashmë në merkaton e dimrit. Megjithatë, mbetet për t’u kuptuar se ku mund të vazhdojë karriera fantastike e portugezit. Ditët e fundit është folur për një interes ende të madh nga Napoli dhe, për këtë arsye, hipoteza e Serisë A (edhe pse shumë e ndërlikuar) duhet të merret gjithmonë në konsideratë.
Por, sipas raportimeve të portalit ‘Todofichajes.com’, CR7 duket se ka zgjedhur propozimin e bërë nga Inter Miami (MLS), president i të cilit është David Beckham. Operacioni në fjalë, sipas burimit të cituar, mund të ndodhë që në janar.
Megjithatë, kontrata aktuale e CR7 do të vononte largimin e tij. Ish-ylli i Juventus-it, në fakt, do të donte të merrte të gjithë shumën – paga 25 milionë neto në vit – që pritet të fitojë për këtë sezon.
Jorge Mendes, ndërkohë, me sa duket ka fluturuar në Mançester për të zgjidhur çështjen e ndërlikuar. Transferimi i Ronaldo-s në MLS pas Kupës së Botës duket se mund të materializohet vërtet.