Babai i sulmuesit të Juventusit, Moise Kean, ndodhet në rrugë, pra është i pastrehë. Kjo është e çuditshme për shkak se Kean është një futbollist, që luan në klube të mëdha dhe ka të ardhura të konsiderueshme, por duket se ai ka vendosur të mos i japë asgjë babait të tij biologjik, teksa ende enigmë është historia mes tyre.
Jean Kean tregon se prej një muaji është i pastrehë, teksa shprehet me siguri se Kean është djali i tij. Gjithsesi, ai nuk zgjedh të thotë asgjë që e hedh poshtë djalin e tij, teksa problemi që kërkon të zgjidhë tani është që të gjejë një strehë për të jetuar normalisht.
“Moise Kean është padyshim djali im, por unë nuk di asgjë për të. U përpoqa të flisja me Juventusin, në kohën kur shkova te zëvendëspresidenti Pavel Nedved, por nuk pati asnjë vazhdim për atë bisedë. Kam më shumë se një muaj që jam i pastrehë. Nuk kam ndërmend t’i jap askujt informacione për djalin tim, as gazetarëve dhe as shoqërisë. Askush nuk është shqetësuar ndonjëherë për mua, unë nuk do të nis të shqetësohem për të tjerët.
Aktualisht jam në rrugë, duhet të mendoj për veten time dhe për të gjetur një çati mbi kokë dhe jo për të dhënë informacione dhe gjykime se kush është më mirë se unë. Kryetari i Fossanos i di vështirësitë e mia dhe po kërkon një shtëpi për mua, mund t’i kërkoni konfirmimin”, përfundoi babai i Kean.