Kur i vogli Edson Arantes do Nascimento luante zbathur në rrugë duke përdorur topa të bërë me lecka apo edhe një mango, ai kurrë nuk e imagjinonte se pseudonimi i tij Pele do të bëhej sinonim i futbollit.

Ato katër shkronja, aq të lehta për t’u shqiptuar dhe kaq të njohura, janë bërë ikonike dhe tani, pas vdekjes së tij, e gjithë bota i bën një nderim të detyrueshëm. Çfarë fshihet pas këtij emri, cila është historia e atij pseudonimi?

Edson kishte golin në gjak, pasi babai i tij João Ramos do Nascimento i njohur si Dondinho, ishte një sulmues i frytshëm i aftë për të regjistruar rekordin e pesë golave ​​me kokë në një ndeshje të vetme në futbollin amator brazilian.

Në zgjedhjen e emrit të djalit të tij, ish-sulmuesi vendosi t’i bënte homazhe Thomas Alva Edison, shpikësit të famshëm amerikan që krijoi llambën në vitin 1879. Megjithatë, në regjistrimin e të porsalindurit në Tres Coracoes, në shtetin Minas Gerais, ka ardhur gabimi i nëpunësit të gjendjes civile, i cili kapërceu një “i” duke bërë Edison, Edson Arantes do Nascimento.

Megjithatë, pas disa vitesh, emri i tij origjinal pothuajse përfundoi në harresë, pasi për të gjithë ai djalë fantastik që jetoi për futbollin thjesht u bë Pelé. Gjithçka ndodhi shpejt, kur Edson ishte praktikisht një fëmijë.

Përveçse luante kudo dhe në çdo moment të lirë, kur nuk i duhej të kontribuonte as me punë modeste për të sjellë para në shtëpi, ai djalosh brazilian nuk e humbi kurrë mundësinë për të ndjekur ndeshjet. Mes idhujve të tij ishte edhe një portier i quajtur “Bilé” dhe për të cilin bënte tifo me rastin e ndeshjeve.

“Bilé, Bilé,” do të bërtiste Edsoni mënjanë dhe miqtë e fëmijërisë do ta ngacmonin. Pikërisht atëherë nga ai lindi nofka edhe pseudonimi me të cilin e ka njohur e gjithë bota. Duke folur për mikrofonat e BBC-së, Raul Marçal da Silva, një nga shokët e tij në atë kohë kujtoi:

“Ne nuk kuptuam asgjë kur portieri priti një top dhe ai tha këtë. Askush nuk e dinte se kush ishte ky portier. Kështu, me këtë Bilé para dhe mbrapa, filluam ta thërrasim Pelé”.

Një situatë që nuk ishte aspak e këndshme për kampionin e ardhshëm, i cili u zemërua shumë. Vetëm për ta ngacmuar, miqtë e tij insistuan duke e përdorur vazhdimisht. Në fakt, vetë Pelé foli për Globo TV për këtë:

“Mendova se ishte një gjë e keqe. Të gjithë djemtë në shkollë thërrisnin ‘Pele, Pele’ dhe unë u grinda me të gjithë. Kështu mora pseudonimin Pele, pa e ditur pse. Dhe sot e dua, sepse është një emër i njohur të gjithë botën”.

Pak vite më parë, shpjegimi përfundimtar: “Në fakt Pelé është një term fëmijëror në portugalisht, shokët e klasës donin të më zemëronin. Me kalimin e kohës dukej sikur të kishte dy njerëz në zemrën time, Edsoni që po argëtohej me familjen dhe miqtë e ngushtë dhe Pelé, futbollisti”. Dhe ai Pele fjalë u bë i përjetshëm.