
Kualifikueset e sotme për Champions League do të sjellin përballë sfida që ndoshta shkojnë përtej futbollit.
Tirana do të presë sot Crvena Zvezda-n e Serbisë ndërsa PAOK-u grek do të përballet me Besiktas-in e Turqisë.
Siç thuhet futbolli është bërë për të bashkuar njerëzit, por ndeshjet e sotme do të shihen edhe si nacionaliste.
Të gjithë kujtojmë se çfarë ndodhi gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, për ndeshjet kualifikuese të Euro 2016. Dhuna e ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë apo dhe koret anti-shqiptare u panë nga e gjithë bota. Ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë në atë kohë nuk u shoqërua me asnjë incident.

E njëjta gjë ndodhi edhe ditën e djeshme me mbërritjen e ekipit të Crvena Zvezda-s në kryeqytet në pritje për t’u përballur sot me Tiranën.
Madje të shumtë kanë qenë qytetarët shqiptarë që i janë afruar për të bërë foto me trajnerin serb, Dejan Stankovic, ish-lojtari i njohur i Inter-it, ekip me të cilin ka fituar dhe Champions League në 2010.

Nga ana tjetër, përballje nacionaliste është edhe ajo mes PAOK dhe Besiktas. Dihen së fundmi tensionet e rritura mes Turqisë dhe Greqisë.
Greqia ka paralajmëruar Turqinë të mos kalojë vijën e kuqe në det duke nxjerrë anijet e saj në rast sulmi.
Nga ana tjetër Erdogan ngul këmbë që anija turke për kërkime sizmike Oruç Reis do të vazhdojë deri më 27 gusht punimet e saj për kërkime të hidrokarbureve në brigjet e Qipros.