
Futbollisti i njohur, Xherdan Shaqiri i cili përfaqëson skuadrën e Zvicrës, ka përjetuar një pritje emocionuese në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë nga tifozët kosovarë.
Sulmuesi i Zvicrës është pritur me duartrokitje dhe ai nuk ka ngurruar që të kthehet nga tifozët dhe t’i përshëndesë. Mesa duket, kjo pritje që i është bërë Shaqirit nga tifozët e Kosovës, nuk i ka pëlqyer medias zvicerane “Blick”. Kjo e fundit ka dënuar gjestin që futbollisti i njohur ka bërë gjatë këndimit të himnit të Kosovës, ku qëndroi me dorën në zemër.
“Para ndeshjes, Shaqiri mban dorën në zemër gjatë himnit kombëtar të Kosovës, më pas i jep fanellën e kombëtares një djali në karrocë dhe pozon për selfie. Ju vështirë se e shihni atë në fushë. Loja në Prishtinë është një lojë e madhe, sidomos për të. Nuk mund të ishte më emocionale. Është beteja e rëndë kundër Kosovës, kundër vendit të lindjes, atdheut të prindërve të tij”, shkruan gazeta zvicerane.
Ndërkohë nuk ka munguar as përgjigja e Shaqirit për komentin që ka bërë gazeta e njohur “Blick”.
“Të gjithë e dinë që kam lindur këtu, se i kam rrënjët këtu. E bëra këtë gjest për respekt për Kosovën”, tha Xherdan Shaqiri për gazetën “Blick” pas ndeshjes Kosovë-Zvicër, e cila përfundoi me rezultatin 2-2.






