Në një skuadër futbolli ndodhin gjithnjë gjëra, që nga jashtë nuk perceptohen dot. Ka ngjarje të çuditshme edhe kur brenda një sezoni të kampionatit arrin të grumbullosh 102 pikë, duke thyer rekorde historike. Kjo ka ndodhur te Juventusi i Kontes, që ishte si një makineri “shkatërruese”.

Sebastian Giovinco ishte pjesë e atij Juventusi, që dominoi Italinë për gati një dekadë. Ish-sulmuesi tregon se lojtarët e Juventusit nuk e kishin aspak qejf Antonio Conten, pasi ai ishte shumë i lodhshëm dhe i pangopur në kërkesat e tij të njëpasnjëshme ndaj skuadrës.

Giovinco zbulon edhe një zënkë të Contes dhe Buffonit në sezonin 2013-2014, teksa shprehet se në momentin kur Conte u largua nga Juventusi, lojtarët janë çliruar dhe janë dukur të kënaqur nga largimi i italianit.

“Conte ishte si një çekiç te Juventusi. Një herë ai i foli ashpër Buffonit në dhomat e zhveshjes vetëm sepse ai po festonte. Ne vazhdimisht duhej të synonim 100 pikët në kampionat. Pas lamtumirës së Contes, ne lojtarët po merrnim frymë lirisht dhe ishim të buzëqeshur. Ndiheshim të rilindur, sepse ishim ‘shtrydhur’ prej vitesh”, ka deklaruar Giovinco.