Champions League dhuroi një përballje titanësh mbrëmjen e djeshme, teksa Inter dhe Barcelona matën forcat në stadiumin Giuseppe Meazza.

Pas gjithë historisë të përballjeve të mëparshme, edhe dje dy skuadrat dhuruan spektakël, teksa zikaltrit, edhe pse nuk shiheshin si favoritë pas paraqitjeve në kampionatin italian, arritën të merrnin 3 pikët e rëndësishme pasi fituan me rezultatin 1 me 0.

Pavarësisht se pati vetëm një gol, ndeshja ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, teksa pati dhe kontestime për penallti të pa dhëna dhe vendime të gabuara të arbitrit.

Vendasit ishin të parët që patën një rast të sigurt, teksa Hakan Calhanoglu bëri një gjuajte të fuqishme nga jashtë zone, megjithatë do ishte ndërhyrja e portierit katalanas, Ter Stegen që do të shpëtonte blaugranat. Edhe kontestimi i parë për arbitrin do të vinte nga Interi, për shkak të një penalltie të pretenduar, pas një prekjeje me dorë të topit nga Eric Garcia. Megjithatë skuadra e Inzaghit nuk mori gjë, për shkak të një pozicioni jashtë loje.

Goli i vetëm i ndeshjes do të vinte në shtesën e pjesës së parë, pasi sërish turku Calhanoglu do të gjuante topin, për ta çuar në portë.

Në pjesën e dytë Barcelona kontrolloi ndeshjen, duke arritur dhe të shënojë një gol me anë të Ansu Fatit, megjithatë festimi i tyre u pre nga VAR, duke vendosur anulimin për shkak të një prekjeje me dorë. Katalanasit pretenduan dhe për një penallti të pa dhënë, pasi Dumfries preku topin me dorë në zonë, megjithatë arbitri e konsideroi gjithçka të pastër.

Katalanasit tashmë e shohin veten në vendin e 3-të, me 3 pikë, pozicion që i çon në Europa League, teksa zikaltrit mund të ëndërrojnë për kalimin e grupit.