Mbrëmja e 12 gushtit do të risjellë në Tiranë skuadrën italiane të futbollit, As Roma, një vit pas asaj finaleje madhështore.
Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho do të luajë një ndeshje miqësore po në të njëjtin stadium ku më 25 maj ngritën trofeun e Conference League, kundër Partizanit, e cila në fakt nuk do të jetë e vetmja skuadër shqiptare që do të përballet me një gjigand të futbollit evropian.
Një ditë më pas, Egnatia do të ketë përballë skuadrën e Interit, sërish në një miqësore që do u shërbejë klubeve për përgatitjet për sezonin e ri.
Megjithatë, në ndryshim nga tifozët shqiptarë të Romës, të cilët do mund ta shijojnë lehtësisht ndeshjen e skuadrës së tyre, interistët do duhet të bëjnë një “sakrificë” të vogël duke udhëtuar në Itali për ta parë këtë ndeshje, pasi do zhvillohet në Ferrera, në stadiumin “Paolo Mazza”, më 13 gusht.
Ndeshja tashmë është zyrtarizuar nga klubi italian, që ka nxjerrë në shitje dhe biletat.