Kombëtarja shqiptare U-18 zhvilloi ditën e sotme testin e parë miqësor të programuar ndaj Malit të Zi U-18, të luajtur në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër.
Një paraqitje e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Ardi Behari, që arriti të fitonte me rezultatin e pastër, 2-0. Golat e fitores u shënuan nga Erald Krasniqi dhe Zylyf Muça, ndërkohë që në këtë sfidë u aktivizuan thuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Megjithatë, një episod pas përfundimit të ndeshjes ka tërhequr vëmendje, teksa në qendër ka qenë pikërisht golashënuesi Krasniqi. Futbollisti që aktivizohet në Holandë me Hereenven U-18 pas ndeshjes ka postuar një foto në rrjetet sociale që ka bërë shumë zhurmë.
Sulmuesi vendosi në tokë fanellën kuqezi dhe e ka shkelur me të dyja këmbët. Një gjest që në mediat sportive është cilësuar si përdhosje e simboleve kombëtare.