Robert Lewandowski ka zbuluar se çfarë foli me Lionel Messi-n në fund të ndeshjes Argjentinë-Poloni  ku albiceleste-t fituan me rezultatin 2-0 të mërkurën.

Ylli i Polonisë i ndërhyri keq Messi-t gjatë përballjes përmbyllëse të fazës së grupeve, në Grupin C, dhe shkoi për t’i kërkuar falje.

Megjithatë Messi u duk i nervozuar në ato momente duke  e injoruar komplet sulmuesin e Barcelonës.

Por në fund të ndeshjes u pa një tjetër episod mes tyre, ku të dy shkëmbenin fjalë me njëri-tjetrin. I pyetur nga mediat, vetë Messi nuk deshi të zbulonte se çfarë u diskutua mes të dyve.

Ai tha: “Çfarë diskutohet në fushë, mbetet në fushë”. Nga ana tjetër, polaku vendosi të zbulojë gjithçka për bisedën me pleshtin argjentinas.

“Patëm një bisedë me Messi-n, ishte diçka e bukur. I thashë që më duhej të luaja më në mbrojtje kësaj here, për të ndihmuar ekipin,” tregoi Leva.