Meksika duket se nuk po e “kapërcen” dot eliminimin nga Kupa e Botës, e për më shumë incidentin e ndodhur në dhomat e zhveshjes me Leo Messin, i cili u akuzua se përdhosi simbolet e shtetit pasi shkeli me këmbë fanellën e tyre.

Deputetja nga partia ‘Morena’ që drejton vendin, Maria Clemente Garcia, propozoi të mërkurën në Dhomën e Deputetëve, që Lionel Messi të shpallet “persona non grata” në Meksikë, pas gjestit të një ndeshjeje të 26 nëntorit, ku Argjentina fitoi 2-0 në Kupën e Botës në “Katar 2022”.

Arsyetimi i Garcias, bazohet në videon e rrjedhur në rrjetet sociale, ku Messi vendos këmbët mbi një fanelë një të kombëtares meksikane në dyshemenë e dhoma e zhveshjes, pas fitores së Argjentinës ndaj Meksikës në fazën e ndeshjeve në grupe të Kupës së Botës në Katar.

“Dhoma e Deputetëve të Kongresit të Meksikës i kërkon Ministrinë e Punëve të Jashtme të lëshojë deklaratën përkatëse, për të shpallur persona ‘non grata’ brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës shtetasit me kombësi argjentinase dhe spanjole, Lionel Andres Messi Cuccitini, për shkak të përbuzjes së tij të dukshme dhe mungesës së respektit ndaj Meksikës, çka u vërejt gjatë Kupës së Botës, të shtunën  e 26 nëntor 2022”, thuhet në dokument.