E ardhmja Leo Messit është ende në pikëpyetje, pasi duket se kampioni i ri i botës ka ndërruar mendje për rinovimin kontratës me PSG.
E teksa pikëpyetjet sa vijojnë e shtohen, ashtu rritet dhe shpresa e tifozëve të Barcelonës, të cilët dëshirojnë ta shohin përsëri Messin të veshur me fanellën katalanase.
Megjithatë, duket se një kthim tek blaugranat për familjen Messi është larg, të paktën këtë ka lënë të kuptohet vëllai i Leos, Matias, i cili i është rikthyer çështjes.
Në një intervistë për të përditshmen spanjolle Sport, ai deklaroi se kjo lëvizje nuk është një opsion që Messi po e merr në konsideratë, për sa kohë në krye të klubit gjendet Laporta. Sipas tij, spanjollët janë tradhtarë.
“Nuk do të rikthehemi te Barcelona, nëse do ta bënim diçka të tillë duhet të pastrojmë ambientin, duhet të largojmë Laporta-n. Spanjollët janë tradhtar”, u shpreh vëllai i Leo-s i cili shtoi ndër të tjera se ylli argjentinas është shumë pranë rinovimit të kontratës me PSG.
Që nga dita kur Messi, mes lotësh, u largua nga Barcelona është diskutuar gjithnjë një rikthim i tij në “Camp Nou”, për vetë faktin se nuk iu dha një lamtumirë e duhur, megjithatë, duket se gjithçka është e destinuar të mbetet vetëm një ëndërr.