Brazili dhe Argjentina janë dy prej kandidateve kryesore për të triumfuar në Botërorin e Katarit.

Pjesërisht ky status vjen prej cilësisë dhe sasisë së skuadrave dhe yjeve si Lionel Messi apo Neymar Jr. Ylli i “Seleçaos”, Nejmar, ka dhënë një intervistë për britaniken “The Telegraph”, ku ai analizon rolin e tij në kombëtare dhe flet edhe për shokun e tij argjentinas te PSG-së, Lionel Mesin.

“Sigurisht që të gjithë kanë shpresa të mëdha për Botërorin dhe nuk është ankth, por emocion. Të gjithë duan që të jenë në Kupën e Botës. Ne nuk flasim shumë për të, por ndonjëherë bëjmë shaka sikur të përballemi ndaj njëri-tjetrit në finale.

Unë i them Mesit se do të shpallem kampion dhe do ta mund atë dhe qeshim shumë. Të luash me të dhe Mbappe është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Ata janë dy lojtarë të mëdhenj.

Mesi konsiderohet prej kohësh më i miri në botë. Kilian është një futbollist më i ri dhe është rritur. Ai vazhdon ta tregojë potencialin e tij dhe ka ende shumë për të mësuar. Është gjithnjë bukur të luash mes më të mëdhenjve. Unë e kam preferuar gjithnjë këtë, sepse shanset për të fituar janë më të larta”- shprehet braziliani.