Shteti i Rio de Janeiro miratoi të martën një projektligj që parashikon ndërprerjen e ndeshjeve të futbollit në rast sjelljeje raciste, një masë e parë në Brazil pas fyerjeve të reja të pësuara në fund të majit në Spanjë ndaj yllit të tyre Vinicius Jr.
Teksti parashikon se “në rast ankese ose sjelljeje të provuar raciste”, takimet ndërpriten për një periudhë të përcaktuar nga organizatori i ngjarjes, ose pezullohen nëse incidentet përsëriten, ose janë punë e një bande. Çdokush mund të raportojë një akt të dyshuar racist tek autoritetet, thotë projekti.
Ankesat për racizëm në stadiume janë rritur me 40% në Brazil
Ky tekst pason një valë të re sulmesh raciste kundër lojtarit brazilian të Real Madridit, Vinicius Jr, 22 vjeç, i shënjestruar nga fyerjet raciste gjatë një ndeshje të kampionatit spanjol kundër Valencias në fund të majit. Rasti shkaktoi një skandal, çoi në disa arrestime me dënime të rënda dhe nxiti kritika ndaj Federatës Spanjole.
Polemika “përforcoi nevojën për të krijuar një politikë që inkurajon respektin, siç është një protokoll për të luftuar racizmin në stadiume,- u shpreh deputeti dhe autori i projektligjit, Prof. Josemar. – Sidomos pasi në Brazil, ankesat për racizëm në stadiume u rritën me 40% në vitin 2022, sipas të dhënave paraprake nga Observatori i Diskriminimit Racor në Futboll”.