Pas një sërë rezultatesh negative, por edhe për shkak të mbarimit të kontratës, Edy Reja pritet që të largohet nga stoli i kombëtares së futbollit.

Teksa tashmë kjo është e ditur, mister mbetet ende se kush do e pasojë teknikun italian. Shumë emra janë përmendur, megjithatë gjithçka mbetet ende në fazën e spekulimeve. Megjithatë, Reja ka shprehur dhe dëshirën e tij, për trajnerin që do donte t’i dorëzonte frenat e kuqezinjve.

Në një intervistë për RTSH, tekniku italian ka thënë se se njeriu i duhur që mund ta zëvendësojë në stol është zëvendësi i tij te kuqezinjtë, Ervin Bulku. Ai ka thënë se kur ai të largohet nga kjo detyrë, do e propozojë.

“Bulku ka bërë shumë mirë. Kam qenë me të në Kroaci dhe i kam ndjekur nga afër ndeshjet e tij ku humbi me Kroacinë dhe fitoi me Suedinë. Unë mendoj se është një nga ata që mund të jetë gati për të marrë drejtimin e Kombëtares. Kur unë të mbyll kapitullin do ta propozoj. I duhet pak eksperiencë, por mendoj se është gati.

Unë e dua këtë punë, më pëlqen, jam mirë edhe me skuadrën e lojtarët. Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, por pjesërisht jo me median. Ndihem i lumtur ndoshta sepse ka ardhur edhe fundi, por jo jo, bëj shaka. Në Shqipëri, trajnerët duhet të punojnë më shumë në funksion të të gjithë akademisë së klubit. Duhet të jenë më të përgatitur trajnerët e ekipeve të të rinjve, jo ata të ekipeve të para, të cilët janë të përgatitur”, tha Reja.