Kombëtarja e Iranit duket se po e paguan shtrenjtë revoltën, teksa në ndeshjen kundër Anglisë refuzuan të këndojnë himnin e shtetit të tyre si shenjë kundërshtimi ndaj regjimit shtypës.

CNN raporton se familjet e lojtarëve janë kërcënuan me arrestim dhe torturë nëse ata nuk sillen normalisht para ndeshjes kundër Shteteve të Bashkuara.

Pas refuzimit të futbollistëve iranianë për të kënduar himnin kombëtar në ndeshjen e tyre hapëse më 21 nëntor, mësohet se lojtarët u thirrën në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit. Atyre u është thënë se familjet e tyre do të përballeshin me “dhunën dhe torturën” nëse nuk këndonin himnin kombëtar ose i bashkohen ndonjë proteste politike kundër regjimit në Teheran.

Kjo u provua dhe nga fakti se futbollistët e  kënduan himnin para ndeshjes së dytë kundër Uellsit të premten e kaluar, e cila u fitua 2-0 për Iranin.

Agjencitë iraniane të sigurisë që veprojnë në Katar gjatë periudhës së Kupës së Botës, kanë dërguar dhjetëra oficerë të Gardës Revolucionare për të vëzhguar lojtarët iranianë që nuk lejohen të dalin jashtë hotelit apo jashtë kampit stërvitor jashtë ekipit për të takuar ndonjë të huaj. Kjo vlen edhe për futbollistët që luajnë në Evropë.