Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë në orën 18:30 miqësoren me Katarin, një sfidë kjo që ashtu sikurse edhe ajo me Arabinë Saudite do të luhet me dyer të mbyllura.

Ndeshja nuk do transmetohet në asnjë televizion, pasi ky ishte kushti i vendosur nga Katari për të mos zbuluar skuadrën duke qenë se është pjesëmarrëse në Kupën e Botës që starton pas dy javësh.

Kuqezinjtë pasditen e së martës zhvilluan seancën e fundit stërvitore, ndërkohë që sot u lanë pushim. Deri më tani, nga lojtarët e thërritur mbizotërojnë futbollistët e kampionatit vendas, të cilët kanë pasur mundësi të aktivizohen me fanellën e kombëtares. Megjithatë, grumbullimi i tyre bëri që ndeshjet e Superiores të shtyhen me dy javë.

Trajneri Reja pasi ka vëzhguar seancat stërvitore, ka përcaktuar edhe formacionin e Kombëtares për këtë ndeshje; Dajsinani, Gurishta, Janku, Turkaj, Hadroj, Rrapaj, Ujka, Kallaku, Hakaj, Cara, Abazaj.

Pas sfidës me Katarin, Kombëtarja do të luajë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, me Italinë dhe Armeninë në 16 dhe 19 nëntor.  Për këto ndeshje pritet që të grumbullohen dhe lojtarë që aktivizohen me skuadra të tjera, jashtë vendit tonë, si Kristian Asllani, Armando Broja etj.

Të dyja këto përballje do të luhen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe tashmë kanë dalë në shotje dhe biletat. Çmimet variojnë nga 700 lekë deri në 3000 lekë, ndërkohë që ndryshe nga përballjet me Arabinë Saudite dhe Katarin, ato do të transmetohen normalisht, pasi dy skuadrat nuk janë pjesëmarrëse në Kupën e Botës “Katar 2022”. 

Ndër të tjera, mendohet se këto ndeshje do të jenë dhe të fundit të trajnerit Edy Reja, të cilit i përfundon kontrata në fund të muajit nëntor dhe, nuk pritet rinovim për shkak të rezultateve negative të marr nga ekipi nën drejtimi ne tij. Mister mbetet emri që do ta zëvendësojë, teksa përflitet për shumë teknikë vendas e të huaj por ende nuk ka asgjë konkrete.