Lionel Mesi do të luajë botërorin e tij të fundit me Argjentinën në Katar, teksa kombëtarja latine shihet dhe si një nga pretendentët për ta fituar këtë kompeticion.
Megjithatë, duket se sulmuesi argjentinas nuk është në formën më të mirë, si pasojë e një dëmtimi që ka marrë në radhët e PSG-së. Ai është shfaqur në stërvitje rregullisht me shokët e skuadrës por pamjet e filmuara dje dhe sot, kanë treguar se kavilja e tij është e ënjtur në mënyrë të frikshme. Kjo nuk e ka ndaluar lojtarin të stërvitet dhe të jetë i gatshëm për sfidën e nesërme ndaj Arabisë Saudite.
Por kanë qenë të shumtë tifozët të cilët e kanë shpërndarë foton e këmbës së tij të alarmuar, pasi një goditje e fortë në kavilje mund të mbyllë shumë më herët Botërorin për “Pleshtin”, duke i bërë thirrje Skalonit të mos e rrezikoje në këtë sfidë të parë. Messi konsiderohet si lojtari më i rëndësishëm për kombëtaren e tij dhe pritet që ai të jetë vendimtar në ndeshjet e Argjentinës.