Leo Messi është një ndër futbollistët më të dashur në botë dhe numëron mijëra fansa, të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm të bëjnë një foto me të.

Kapiteni i kombëtares së Argjentinës trazoi rrugët e Buenos Aires dhe u detyrua të largohej me eskortë policie dje në mbrëmje, pasi  darkoi me familjen në një restorant të njohur në lagjen Palermo të Buenos Aires.

Sapo u përhap lajmi që “Pleshti” ndodhej aty, zona përreth u mbush me tifozë që u mblodhën për të parë nga pranë yllin e futbolli.

Messi gjendet në Buenos Aires për ndeshjen miqësore të Albicelesteve me Panamanë, duke gjetur një moment për të qenë pranë familjes. Tifozët duket se e pikasën Messin dhe fjala u përhap shpejt, me tifozët që mbushën rrugët pranë duke dashur të takojnë kampionin e botës.

Gjithçka filloi kur një klient regjistroi Messin duke mbërritur në restorant dhe e ngarkoi videon në internet. Fjala se Messi ishte aty u përhap dhe rruga filloi të mbushej brenda pak minutash. Messi duhet të largohej i shoqëruar nga disa punonjës policie. Megjithatë, disa nga tifozët më fatlumë ia dolën të bënin një foto me Messin.