Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Konferenca shërbeu si një platformë kombëtare dialogu mbi sfidat e transparencës institucionale në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke vënë theksin në rolin mbikëqyrës të Komisionerit, përgjegjësinë e institucioneve publike dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve qendrore dhe vendore, autoriteteve të pavarura, sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe medias.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë dhe është një element thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe publikut.

Ai theksoi se transparenca nuk duhet kuptuar thjesht si publikim dokumentesh, por si një kulturë pune, e cila nxit integritetin, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në çdo hallkë të administratës publike.

Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025, Komisioneri Dervishi vuri në dukje se Ligji “Për të Drejtën e Informimit” në Shqipëri është në përputhje të gjerë me standardet evropiane, por zbatimi praktik i tij mbetet i paqëndrueshëm, autoritetet publike vijojnë, në jo pak raste, të përdorin justifikime të përgjithshme dhe të paarsyetuara lidhur me “interesin publik” për të refuzuar kërkesat për informacion, pa respektuar parimin e proporcionalitetit dhe pa dhënë arsyetim të mjaftueshëm ligjor.

Komisioneri Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mosrespektimin e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve, interpretimit të gabuar të kufizimeve ligjore, por shpesh edhe për shkak të neglizhencës.

Ai vuri gjithashtu theksin te dispozitat e panevojshme të konfidencialitetit, ndryshimet e shpeshta të koordinatorëve për informim dhe mangësitë në organizimin e strukturave të  brendshme institucionale për publikimin e informacionit të përditësuar në faqet zyrtare.

Në përfundim, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se zbatimi i drejtë i ligjit për të drejtën e informimit kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, shoqëria civile, media, bota akademike etj.