Në Budapest u zhvillua Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, ku u diskutua tema e procesit të zgjerimit dhe ajo e investimeve ekonomike e ndërlidhjeve energjitike.
E pranishme ishte nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu, e cila nënvizoi se: “Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një objektiv i qeverisë sonë, ajo është një mision kombëtar që na bashkon të gjithëve dhe tejkalon ndarjet politike.”
“Ne qëndrojmë të përkushtuar ndaj objektivit tonë për të siguruar vendin tonë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027”, tha Spahiu gjatë fjalës së mbajtur, ndërsa i pranishëm ishte dhe Komisioneri për Shëndetin dhe Mirëqënien e Kafshëve, Oliver Varhelyi, kryeministri hungarez Viktor Orban, por dhe personalitete të tjera.
Ndërkohë Komisioneri Varhelyi e cilësoi procesin e zgjerimit si thelbësor dhe një rrugëtim që nuk duhet humbur.
Ai tha se Europa ka hyrë në një epokë të re, duke theksuar se ka ardhur koha që Unioni të varet tek burimet e veta, e veçanërisht në Energji e Shëndetësi.

Ndërkohë nënkryetarja e Kuvendit, tha se plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor përfaqëson një mundësi transformuese.

“Shqipëria është plotësisht e angazhuar në zbatimin e reformave të nevojshme për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tij. Përmes këtij kuadri, synojmë të mobilizojmë investime në infrastrukturë strategjike, ndërlidhje energjetike, transformim digjital dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke përshpejtuar konvergjencën tonë me Bashkimin Evropian.”, nënvizoi Spahiu duke përmendur dhe Korridorin VIII që qëndron si një aks zhvillimi strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe që pritet të ketë një impakt të madh në ekonominë e vendeve të rajonit, por dhe që do të shërbejë si një investim i ndërlidhjes rajonale dhe stabilitetit gjeopolitik.
Spahiu gjatë kësaj konference u takua dhe me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér, ku shprehu qëndrimin se Shqipëria është gati për t’u bërë pjesë e BE. Një takim të veçantë pati dhe me ambasadorin shqiptar në Budapest, Ilirian Kuka.

