Sot mbusha 41 vjeçe, mami!
Është ditëlindja ime e parë pa ty:
pa urimin tënd që më zgjonte me zë të butë;
pa përqafimin tënd që më mbështillte gjithë dashuri;
pa atë dritën e syve të tu që më bënte të ndihesha një fëmijë e lumtur,
edhe pse vitet stivoseshin te unë.

Kanë kaluar vetëm tre muaj që kur u largove,
por prania jote është gjithmonë këtu dhe kudo me mua.
Më kujtohet vështrimi yt i qetë dhe i thellë që fliste më shumë se fjalët.
Kujdesi yt i përjetshëm edhe në frymën e fundit, kur përpiqeshe të më flisje butë,
si për të më marrë leje,
si për të më përgatitur që koha jote këtu, në botën që do të më lije mua, kishte mbaruar.

E di, mami, që të ka dhembur largimi nga ne,
por ti e kuptove atë që unë s’e pranoja dot:
udhëtimi yt në këtë botë po mbaronte.
Dhe ike me qetësi, duke më lënë trashëgimi forcën, durimin dhe dashurinë tënde.

Ti më ke lënë bekime që nuk maten me kohën.
Mam, nuk më mungon asgjë, por asgjë nuk më shijon më njësoj:
ushqehem mirë, por asnjë ushqim s’ka shijen e dorës sate;
udhëtoj e qëndroj në vende e hotele të shtrenjta,
por asnjë prej tyre s’e ka luksin e shtëpisë sate modeste,
ku çdo send mbante frymën tënde të ngrohtë dhe të dashur.
Vishem bukur, por askush s’më sheh me sytë e tu.
Rri mes njerëzve, por ndiej se një pjesë e shpirtit tim të kërkon ty.

Ti je drita që ndriçon kujtimet e mia në heshtje, mam.
Në çdo hap që kam bërë, të kam mbajtur ty në zemër.
Çdo sakrificë është gjurmë e dashurisë që më mësove,
për të ndier krenarinë tënde dhe për të ruajtur atë që mbolle ti:
rrënjët e dashurisë sate që s’do të thahen kurrë.

Ka mbrëmje kur forca më tradhton,
kur mungesa jote derdhet si shiu mbi tokën e tharë dhe çdo kujtim më kthehet në mall.
Të gjithë më flasin, por asnjë fjalë s’ka ngrohtësinë e zërit tënd.
Të gjithë më përqafojnë,
por asnjë prekje s’ka shërimin e duarve të tua, o mam.

Ditëlindja ime i paraprin aromës së festave të fundvitit, mam,
që do të thotë se trishtimi im do të zgjasë,
pasi do të mungojë aroma e kulaçit të pulës, gatuar me aq dashuri;
do të mungojë entuziazmi yt
për të na ulur të gjithë bashkë në tryezë
dhe buzëqeshja jote që ndizte dritën e festave.

Sot, në këtë ditëlindje, dua të të them faleminderit, mami!
Faleminderit që më dhe gjithçka:
dashurinë pa kushte;
forcën për të qëndruar;
buzëqeshjen e pakursyer;
dritën që nuk shuhet as në mungesën tënde.

Ndoshta nuk mund të të përqafoj më,
por të ndiej në çdo frymëmarrje timen.
Do të jetoj me mirësinë tënde në zemër:
me dashurinë tënde në çdo hap;
me buzëqeshjen tënde në çdo kohë;
derisa një ditë të takohemi sërish,
aty ku nuk ka më ndarje,
as dhimbje, vetëm dashuri e dritë.

Dhe mami…
nëse Zoti të ka vendosur në një nga kopshtet e Tij më të bukura,
kur të flasësh me Të,
thuaji se vajza jote i është mirënjohëse përtej jetës, për nënën që Ai zgjodhi të më falte.

Të dua përtej jetës, mami!
Dhe sot, si çdo ditëlindje tjetër, buzëqesh për ty,
sepse çdo buzëqeshje e imja është dritë që më vjen prej teje,
një kujtim që s’vdes,
një bekim që jeton në mua!/ Nga Jona Koci