“Pema e Jetës” është një organizatë jofitimprurëse, e cila synon të ndihmojë personat e prekur nga skleroza multiple.

Drejtuesi i Fondacionit, inxhinier Tanush Çaushi ka treguar se “Pema e Jetës” trajton falas mbi 50 pacientë.

“Aktualisht në qendrën tonë trajtohen rreth 50 persona me sklerozë multiple. Ky është edhe kapaciteti i qendrës sonë. Që nga data 15 nëntor ne kemi nisur me kapacitet të plotë dhe aktualisht trajtojmë të gjitha moshat. Kemi patur edhe raste me fëmijë të vegjël deri te mosha më e madhe 68-70 vjeç, të cilët marrin trajtimin në këtë qendër. Ne nuk diskriminojmë asnjë lloj moshe, përkundrazi kemi patur shumë raste që kanë ardhur dhe na kanë thënë që nuk na kanë pranuar te qendrat e tjera për shkak të moshës. Mjaftojnë që të përmbushin kushtin për të qenë me sklerozë multiple”, u shpreh Çaushi.

Drejtuesi i Fondacionit u shpreh se qendra i nënshtrohet protokolleve më bashkëkohore dhe moderne.

“Qendra jonë ndodhet afër njësisë administrative numër 14, në Kashar”, është shprehur, i cili më pas u shpreh se qëllimi i tyre ka qenë ngritja e qendrave të rehabilitimit, duke nisur si fillim për personat me sklerozë multiple dhe duke u shtrirë edhe te pacientë të tjerë dhe patologji të tjera”, ka treguar Çaushi.

Drejtuesi i Fondacionit kërkoi bashkëpunim nga pushteti lokal si dhe nga shteti e Ministria e Shëndetësisë.  

“Kjo po funksionon me shumë korrektësi dhe është shumë e përparuar. Njerëzit që vijnë këtu janë shumë të kënaqur. Sipas planit tonë strategjik, ne duam që të ngremë si ky model, shumë qendra fizioterapie, së pari dy të tjera në Tiranë dhe pastaj nëpër rrethe të tjera. Këtu kërkohet edhe bashkëpunimi, së pari me pushtetin lokal që të na japë në përdorim ambiente që ata nuk i përdorin dhe ne aplikojmë për projekte dhe i kthejmë në qendra fizioterapie. Njëkohësisht kërkohet këtu edhe mbështetja e shtetit shqiptar, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që duhet ta mbështesë këtë lloj nisme. Krahas donatorëve tanë që janë shumë bujar, duhet edhe shteti të bëjë punën e vet”, ka treguar Çaushi.