Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu iu bashkua këtë të premte Konferencës së Lidershipit Ballkanik 2026 “Media Freedom, Democracy & Digital Governance in the Ëestern Balkans”, ku në fokus ishin sfidat me të cilat po përballet media sot.
Në fjalën e saj, Spahiu bëri një përmbledhje të kuadrit ligjor, ndërsa nënvizoi dhe punën e bërë nga ana e AMA-s gjatë kohëve të fundit.
“Sot jetojmë në një epokë ku informacioni qarkullon në mënyrë të menjëhershme dhe çdokush mund të krijojë e shpërndajë tekste, foto dhe video, ndërkohë që algoritmet i amplifikojnë automatikisht. Inteligjenca artificiale e ka thjeshtëzuar këtë proces edhe më tej. Hapi i teknologjisë tejkalon aftësinë tonë për analizë kritike dhe kjo është sfida e vërtetë e epokës sonë”, – tha Spahiu ndërsa u ndal dhe tek iniciativat e ndërmarra nga Kuvendi për të frenuar dezinformimin dhe për të rritur më shumë transparencën.
“Kuvendi ka ndërmarrë edhe iniciativa konkrete: projekti Media Hub një redaksi televizive multimediale brenda Kuvendit dhe sistemi i transkriptimit dhe titrave të seancave plenare, i implementuar tashmë prej dy muajsh, janë shembuj të qartë të transparencës në veprim”, – shtoi Spahiu.
Bashkëpunimi mes politikës, medias dhe shoqërisë civile, për nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu, duhet të jetë i plotë si një hap kundër dezinformimit.
“Teknologjia përparon me ritme që legjislacioni me vështirësi mund t’i ndjekë. Por Shqipëria ka bërë hapa konkretë dhe zbatimi i tyre i plotë kërkon bashkëpunim aktiv ndërmjet politikës, medias dhe shoqërisë civile. Media është pushteti i katërt por ky pushtet mbart edhe përgjegjësi. Ndikimi i gazetarëve dhe profesionistëve të komunikimit bëhet shumë më i fuqishëm kur mbështetet nga raportimi i bazuar në fakte, transparenca dhe pavarësia editorial, vlera që sot edhe ligji europian i mbron shprehimisht. Sepse objektivi nuk duhet të jetë media “plotësisht e pavarur”, por media profesionale dhe e përgjegjshme”, – përfundoi fjalën e saj Klodiana Spahiu.
