Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, paraqiti sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare Bashkëpunim dhe Mbikqyrjen Institucionale dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, duke evidentuar progresin e ndjeshëm në forcimin e transparencës së autoriteteve publike, avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Situata e transparencës në autoritetet publike reflekton përmirësim të dukshëm. Qytetarët shqiptarë janë bërë më aktivë në ushtrimin e së drejtës për informim, siç tregojnë të dhënat e vetëdeklarimit të institucioneve,” – theksoi Komisioneri Dervishi, duke nënvizuar se kërkohet më shumë transparencë proaktive dhe përgjegjshmëri nga çdo autoritet publik.
Transparenca proaktive e institucioneve publike: përmirësimi më i madh ndër vite
Raporti evidenton se gjatë vitit 2024, 331 autoritete publike kanë publikuar programin e transparencës, 335 kanë caktuar koordinatorin dhe 318 kanë funksionalizuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve.
Në përfundim të monitorimit vjetor, 45% e autoriteteve qendrore dhe të varësisë u klasifikuan me transparencë të lartë proaktive, duke shënuar rritje nga 38% në vitin 2023, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore përmirësuan ndjeshëm performancën, me rritje nga 29% në 41%.
“Këto rezultate tregojnë se transparenca nuk është më një detyrim formal, por po shndërrohet në kulturë institucionale. Megjithatë, ende ka nevojë për përmirësime në publikimin e informacionit dhe në reagimin ndaj kërkesave të qytetarëve,” – u shpreh Dervishi.
Zyra e Komisionerit administroi 1,025 ankesa gjatë vitit 2024, një shifër pak më e ulët se një vit më parë, çka lidhet me përmirësimin e përgjithshëm të qasjes dhe transparencës.
Mbrojtja e të dhënave personale: Ligji i ri nr. 124/2024 në përputhje të plotë me standardet e BE-së
Një ndër momentet më të rëndësishme të vitit ishte miratimi nga Kuvendi, në dhjetor 2024, i ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën për organet ligjzbatuese (Direktiva e Policisë).
“Ky ligj modern përbën një hap të madh përpara në mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë. Ai është gjithashtu një kusht kyç në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian,” – deklaroi Komisioneri.
Gjatë vitit 2024, Zyra e Komisionerit trajtoi 455 ankesa për cënimin e të dhënave personale dhe zhvilloi 77 hetime administrative, kryesisht në sektorët e arsimit, shëndetësisë, turizmit dhe bankave.
Në përfundim të procedurave, u dhanë 68 sanksione administrative, si dhe rekomandime unifikuese për përmirësimin e masave të sigurisë dhe respektimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave.
Forcimi i rolit mbikëqyrës dhe ndërkombëtar
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Zyra e Komisionerit ka zhvilluar procesin e parë monitorues pranë sistemit të prokurorisë shqiptare dhe SPAK, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga bashkëpunimi me Eurojust.
“Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit institucional dhe për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale edhe në sistemin e drejtësisë,” – theksoi Dervishi.
Zyra e Komisionerit ka vijuar një rol aktiv në arenën ndërkombëtare, duke qenë anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit.
Rritje e ndërgjegjësimit dhe forcim i kapaciteteve
Komisioneri Dervishi theksoi domosdoshmërinë për ndërgjegjësim më të madh institucional dhe publik, trajnime të vazhdueshme dhe forcim të sistemeve të informacionit në të dy fushat – të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, Zyra e Komisionerit ka realizuar plotësisht të gjitha detyrimet e lëna, duke dhënë mendime për 64 akte ligjore e nënligjore dhe 40 opinione për çështje të ndryshme të kontrolluesve publikë dhe privatë.
“Transparenca dhe mbrojtja e të dhënave personale janë dy shtylla thelbësore të një shteti demokratik dhe të drejtë. Raporti ynë tregon qartë se jemi në rrugën e duhur, por kërkon angazhim të vazhdueshëm, bashkëpunim institucional dhe ndërgjegjësim publik për t’i bërë këto parime realitet në çdo nivel të administratës,” – përmbylli raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, Komisioneri Besnik Dervishi.
Komisioneri Dervishi raporton veprimtarinë në Komisionet Parlamentare: Rritje e ndjeshme e transparencës, ligji i ri për të dhënat personale forcon më tej mbrojtjen
