Institucione të drejtësisë nga rajoni janë bërë bashkë në Tiranë sot, 25 shtator, për konferencën “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit”, për të shkëmbyer përvoja, për të trajtuar sfida që lidhen me integritetin gjyqësor dhe për të diskutuar mbi rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca realizohet si një bashkëpunim mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë, si dhe misioneve të OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.

Në dy ditët e kësaj konference, diskutimet do fokusohen mbi tre tema të mëdha: parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe  promovimin e integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në kontekstin e procesit të integrimit në BE.

Në nisje të punimeve, konferenca u përshëndet në emër të Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Michel Tarran, nga z. Mauro Puzzo, kreu i Departamentit për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut në OSBE, nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prourorisë Mirela Bogdani.

“ILD, i vetmi i institucion i pavarur që verifikon ankesat…”

Në fjalën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e standardeve profesionale në inspektimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai ka vënë në dukje po ashtu, se ILD, është institucioni i vetëm i pavarur që verifikon ankesat, heton shkeljet disiplinore dhe kontrollon funksionimin e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë.

Sipas Metanit, pavarësia dhe përgjegjshmëria e magjistratëve janë elemente thelbësore për një drejtësi efikase dhe besueshmëri publike, si dhe për avancimin e procesit të integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Ai ka nënvizuar se forcimi i shtetit të së drejtës kërkon një balancim të kujdesshëm midis interesit publik dhe autonomisë së gjyqtarëve e prokurorëve.

Metani: Duhet balancë mes interesit publik dhe autonomisë së magjistratëve

Metani është ndalur edhe te sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE, ku kërkohet balancim i kujdesshëm midis interesit publik dhe autonomisë së magjistratëve, ndërsa respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës, sipas tij, mbeten asete kryesore për vendet aspirante dhe për vetë qytetarët.

“Ky aktivitet rajonal na mundëson të ndajmë përvoja, të diskutojmë modelet më të mira dhe të bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat tona evropiane,” ka thënë Metani, duke e konsideruar këtë konferencë si një pikënisje të një tradite të qëndrueshme bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër, 26 shtator, duke sjellë bashkë përfaqësues nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana, për të diskutuar mbi përvojat, sfidat dhe perspektivat e inspektimit të drejtësisë në kontekstin e integrimit europian.