Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma “Reforma Reale” i kanë paraqitur Forumit të Dialogut Politik një paketë propozimesh për ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku parashikohen ndryshime të rëndësishme në administrimin e zgjedhjeve, sistemin zgjedhor dhe organizimin territorial në vend.
Sipas projektligjit të propozuar, anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit (QV), Grupeve të Numërimit të Votave (GNV) dhe Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) nuk do të propozohen më nga partitë politike, por kryesisht nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe Dhoma e Noterisë së Shqipërisë, si edhe nga profesione të tjera të rregulluara me ligj në Republikën e Shqipërisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kufizimin e numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, ku propozohet që secila QV të ketë nga 300 deri në 700 votues. Gjithashtu, propozohet përqendrimi i qendrave të votimit në godina të mëdha publike, ndërsa procesi i numërimit të votave të zhvillohet në të njëjtën qendër ku është kryer votimi.
Paketa përfshin edhe ndryshime në sistemin zgjedhor dhe ndarjen e mandateve, duke propozuar përdorimin e metodës Sainte-Laguë, një formulë matematikore që përdoret për shpërndarjen më proporcionale të mandateve mes partive politike.
Në aspektin territorial, propozohet rritja e numrit të bashkive nga 61 në 101, si dhe reduktimi i qarqeve nga 12 në 7.
Ndryshime parashikohen edhe për zgjedhjet vendore. Sipas propozimit, kandidati fitues për organet e qeverisjes vendore duhet të sigurojë mbi 50% + 1 të votave të vlefshme. Në rast se asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë në raundin e parë, do të organizohet një balotazh mes dy kandidatëve më të votuar.
Propozimet janë depozituar pranë Forumit të Dialogut Politik dhe mbetet për t’u parë nëse do të marrin mbështetjen e forcave politike për t’u reflektuar në ndryshimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor.
