Konferenca rajonale “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit” u finalizua sot në Tiranë, me qëndrimin e përbashkët të delegacioneve nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi e Tirana, se cilësia dhe efikasiteti i drejtësisë janë kritere të panegociueshme për progresin e vendeve për forcimin e shtetit të së drejtës dhe se komunikimi, shkëmbimi i përvojave e ndarja e dilemave profesionale, i shërbejnë forcimit të rolit të tyre për integritetin e sistemit të drejtësisë e besimin e qytetarëve, por edhe procesit të integrimit në BE.

Duke paraqitur konkluzionet e konferencës dy ditore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha mes të tjerash, se “Nga kjo konferencë do të marr me vete disa reflektime personale dhe profesionale.

E para, se sfida jonë nuk është thjesht të fitojmë besimin e publikut, por të ndërtojmë një sistem drejtësie, që është i aftë të gjenerojë legjitimitet dhe vetëbesim, përmes cilësisë, efikasitetit dhe transparencës. Kontributi i institucioneve tona nuk është vetëm një profesion, por një mision që lidhet drejtpërdrejt me vlerat më të larta të shoqërisë së një vendi si drejtësia, besimi i qytetarëve dhe përgjegjësia publike. E dyta, se kemi më shumë të përbashkëta se veçanti dhe kjo është arsyeja pse bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm një dëshirë dhe vullneti i mirë nga ana jonë, por jam i sigurt se është i domosdoshëm. Vetëm duke shkëmbyer përvoja, duke organizuar vizita pune, duke ndarë praktikat më të mira dhe duke vijuar takime të tilla periodike, ne mund të arrijmë standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.

Kjo përvojë e parë e organizuar në Tiranë është një dëshmi e qartë, se bashkëpunimi ynë rajonal ka potencial real për t’u kthyer në një traditë të qëndrueshme. Mund ta vazhdojmë këtë rrugëtim në qytetet e tjera të rajonit, duke e pasuruar gjithmonë me ide të reja, përvoja të reja dhe rezultate konkrete.”

Konferenca, që bëri bashkë në Tiranë në datat 25 dhe 26 shtator 2025, institucione të drejtësisë nga 6 vendet e rajonit tonë, u bashkëorganizua nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri, me misionet e OSBE në kryeqytetet e rajonit, Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.

Për dy ditë, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë së rajonit diskutuan rreth tre temave të mëdha, parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe  promovimin e integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në kontekstin e procesit të integrimit në BE.

PARAQITJA E PËRFUNDIMEVE TË KONFERENCËS NGA INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË Z. ARTUR METANI

Përshëndetje,

Jemi në momentin e fundit të kësaj konference rajonale, e cila për dy ditë me radhë na angazhoi në diskutime intensive, reflektime profesionale dhe shkëmbime përvojash të çmuara. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për praninë, kontributin dhe përkushtimin që sollët në këtë tryezë. Çdo diskutim, çdo ndërhyrje dhe çdo përvojë që ndamë në këtë aktivitet ka pasuruar kuadrin e ideve mbi të cilat ne do të ndërtojmë pse jo edhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm.

Agjenda ishte e ngjeshur dhe e shumë e pasur me tematika, apo çështje të cilat realisht janë thelbësore për t`u trajtuar dhe diskutuar. Tre shtyllat mbi të cilat e mbështetëm këtë konferencë nuk janë vetëm tema të rëndësishme, apo çështje të cilat lidhen me veprimtarinë e institucioneve tona, por janë edhe gurë themeli për funksionimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet tona. Diskutuam mbi parimet dhe funksionimin e institucioneve të inspektimit të punës së magjistratëve; mbi rolet e tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe promovimin e integritetit të magjistratëve; si edhe mbi kontributin që institucionet tona të inspektimit japin në kuadër të reformimit të sistemit drejtësisë në vazhdimësi dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Nga diskutimet mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të inspektimit, mësuam se ndonëse secili vend ka modelin e tij ligjor, institucionet tona janë të ngjashme përsa i takon parimeve themelore të organizimit dhe funksionimit. Pavarësia dhe paanshmëria e institucioneve  tona disiplinore janë një garanci e padiskutueshme për të siguruar integritetin dhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë. Ky është një mesazh i qartë për qytetarët tanë se institucionet e inspektimit dhe kontrollit të punës së magjistratëve  nuk janë thjesht mekanizma kontrolli, por janë institucione që mbrojnë besimin publik dhe garantojnë se drejtësia ushtrohet mbi bazën e ligjit, pavarësisë  dhe të paanshmërisë.

Në pjesën  e dytë, kur diskutuam për mbrojtjen e standardeve demokratike dhe integritetit, u nënvizua se pavarësia e magjistratëve është një përgjegjësi po aq sa edhe privilegj. Ky ishte një nga mesazhet më të forta të kësaj konference. Një gjyqësor i pavarur nuk është privilegj i magjistratëve, por është garanci për qytetarët dhe për demokracinë e një vendi. Pavarësia duhet të balancohet me llogaridhënien, e cila nuk mund të përdoret si një mjet kontrolli  apo presioni ndaj veprimtarisë së magjistratëve, por si një instrument për forcimin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të tyre. Kjo është një sfidë delikate, por është edhe rruga e vetme për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, me integritet dhe të përgjegjshëm.

Në pjesën e tretë të diskutimeve, kontributi i institucioneve të inspektimit në reformimin e sistemit drejtësisë dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, u theksua se cilësia dhe efikasiteti i drejtësisë janë kritere të panegociueshme për progresin e vendeve tona drejt rrugëtimit në familjen e madhe evropiane. Raportet e Bashkimit Evropian, por edhe organizatave të tjera ndërkombëtare, e nënvizojnë shpesh këtë fakt: “Një sistem drejtësie jo eficient nuk është vetëm një pengesë për ecurinë e integrimit evropian, por është edhe pengesë për besimin e qytetarëve te shteti i tyre.” Kjo është arsyeja pse institucionet tona të inspektimit kanë një përgjegjësi të dyfishtë, për të kontrolluar, por edhe për të udhëhequr drejt përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve të shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian.

Nga kjo konferencë do të marr me vete disa reflektime personale dhe profesionale.

E para, se sfida jonë nuk është thjesht të fitojmë besimin e publikut, por të ndërtojmë një sistem drejtësie, që është i aftë të gjenerojë legjitimitet dhe vetëbesim, përmes cilësisë, efikasitetit dhe transparencës. Kontributi i institucioneve tona nuk është vetëm një profesion, por një mision që lidhet drejtpërdrejt me vlerat më të larta të shoqërisë së një vendi si drejtësia, besimi i qytetarëve dhe përgjegjësia publike. E dyta, se kemi më shumë të përbashkëta se veçanti dhe kjo është arsyeja pse bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm një dëshirë dhe vullneti i mirë nga ana jonë, por jam i sigurt se është i domosdoshëm. Vetëm duke shkëmbyer përvoja, duke organizuar vizita pune, duke ndarë praktikat më të mira dhe duke vijuar takime të tilla periodike, ne mund të arrijmë standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.

Kjo përvojë e parë, e organizuar në Tiranë, është një dëshmi e qartë se bashkëpunimi ynë rajonal ka potencial real për t’u kthyer në një traditë të qëndrueshme. Mund ta vazhdojmë këtë rrugëtim në qytetet e tjera të rajonit, duke e pasuruar gjithmonë me ide të reja, përvoja të reja dhe rezultate konkrete.

Nuk mund ta mbyll këtë fjalë pa disa falënderime të veçanta.

Falënderoj prezencën e OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Taran, Mauros dhe gjithë ekipin e tij, që mbështetën idenë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe na ndihmuan ta realizojmë këtë konferencë. Falënderoj gjithashtu misionet e OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup, që koordinuan dhe siguruan pjesëmarrjen e  delegacioneve.

Një falënderim i përzemërt për kolegët e mi në ILD, që u angazhuan me përkushtim, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që e pranuan ftesën dhe ndanë me ne përvojën e tyre. Dhe një falënderim i veçantë për ekipin organizator, Mimozën nga zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Luljetën nga Prezenca e OSBE në Shqipëri,  të cilat punuan pa orar prej muajsh për të bërë të mundur organizimin e kësaj konference.

Të nderuar kolegë,

Sot ndihem i lumtur që arritëm të mblidhemi për herë të parë në këtë aktivitet dhe jam i bindur se ky është vetëm fillimi i një tradite të re. Shpresoj që, përveç punës intensive, të keni mundësinë të shijoni pak nga mikpritja e Tiranës dhe bukuritë e vendit tonë.

Ju uroj rrugë të mbarë drejt vendeve tuaja, dhe mbetem i sigurt se së shpejti do të takohemi sërish për të vijuar këtë bashkëpunim të përbashkët që kemi nisur.

Ju faleminderit!