Në Shqipëri, një burrë dhe një grua mund të punojnë në të njëjtin zyrë, të mbajnë të njëjtën përgjegjësi, të kenë të njëjtën diploma, por jo të njëjtën pagë. Ky nuk është përjashtimi, por rregulli.

Sipas të dhënave të  INSTAT hendeku gjinor në paga në Shqipëri u rrit nga 6.2% në vitin 2022 në 7% në vitin 2023. Gratë paguhen më pak se burrat veccanërisht në disa sektorë si inxhinieria, tekstilet dhe shëndetësia.

Gratë, të punësuara kryesisht në sektorin e tekstilit dhe këpucëve, paguhen mesatarisht 47,000 lekë në muaj, ndërsa burrat në të njëjtin sektor marrin rreth 64,000 lekë, duke krijuar një diferencë prej 16%. Në shendetësi gratë marrin rreth 17% më pak. Më e lartë është diferenca mes profesionistëve burra – gra në shkencat ekzakte dhe inxhinieri. Sipas Instat, aty burrat paguhen mesatarisht 100,3 mijë lekë në muaj, ndërsa gratë rreth 80 mijë lekë, duke krijuar një diferencë prej 21%. Përjashtim nuk bën as sektori i medias. Sipas një hulumtimi të kryer në vitin 2023 nga Qendra ” Lajmëtarja” rezultoi se meshkujt që punojnë në media në Shqipëri paguhen rreth 13% më shumë se femrat.

Një pabarazi që nis nga fëmijëria

Ajo që shqetëson më shumë është se këto shifra nuk përfaqësojnë vetëm statistika, por janë pasqyrimi i një sistemi që vazhdon të shpërblejë më shumë burrat, edhe kur puna është e njëjtë.

Sociologia Entela Binjaku shpjegon se në shoqërinë shqiptare, kjo pabarazi lidhet me mënyren se si përcaktohen rolet gjinore qe në fëmijëri, bazuar në pushtet, pasuri dhe vlera të pranuara gjerësisht.
“Në shoqëri, rolet kufizohen kryesisht nga mjedisi ku njeriu lind dhe rritet” – shprehet ajo, duke vënë në dukje se mënyra si shpërblehen burrat dhe gratë është e lidhur ngushtë me këto pritshmëri të hershme.

Binjaku thekson se në pozitat drejtuese dhe në vendet me paga më të larta gjenden kryesisht burra, ndërsa gratë kanë më pak përfaqësim, kontrata më të pasigurta dhe shpesh mbeten jashtë hapësirave ku merren vendime. Shkaku? “Mbizotëron mendimi se me një burrë negociohet më lehtë,” shpjegon më tej ajo.

Ky mentalitet lidhet ngushtë edhe me rolin e burrit si figurë qendrore në familje. “Në një familje patriarkale, gruaja dhe fëmijët sillen në një mënyrë të caktuar dhe presin diçka të veçantë nga i ati,” – vijon sociologia, duke nënvizuar se këto modele sjelljeje nuk kufizohen vetëm brenda familjes, por ndikojnë më gjerë edhe në jetën profesionale.

Edhe pse shoqëritë moderne janë bërë më të hapura ndaj ndryshimit, ajo kujton se “shoqëria sërish e ruan kohezionin e saj mbi bazën e procesit të shoqërizimit” një proces që, pa shumë zhurmë, vazhdon të riprodhojë pabarazitë gjinore nga një brez në tjetrin.

Në disa sektorë në Shqipëri si administrata publike, gratë madje paguhen pak më shumë se burrat, apo barazia në paga është më e madhe sin ë sektorin e ndërtimit dhe te bujqësisë. Por këto janë përjashtime që nuk ndryshojnë rregullin. Dhe në një treg pune ku rolet drejtuese dominohen nga burrat dhe ku vendimmarrja u takon më së shumti atyre.

Islanda, një shembull për barazinë gjinore në paga

Ky hendek, i përkufizuar si diferenca në fitimin bruto mes grave dhe burrave, ekziston pothuajse kudo nëpër botë. Por Islanda mesa duket e ka gjetur një zgjidhje. Islanda është vendi i parë në botë që ka miratuar një ligj të detyrueshëm për barazi në paga mes grave dhe burrave për punë të njëjtë ose me vlerë të barabartë. Ligji hyri në fuqi më 1 janar 2018 dhe ka vendosur standarde të qarta për të siguruar që kompanitë dhe institucionet të respektojnë parimin e barazisë.

Për rrjedhojë, të gjitha kompanitë me mbi 25 punonjës duhet të certifikohen për barazi në pagesë. Sistemi, i quajtur ÍST 85, i zhvilluar nga sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe qeveria është një standard menaxhimi që kërkon auditim të pagave. Vendimet mbi pagat bazohen vetëm në faktorë të rëndësishëm si kualifikimet, përvoja dhe përgjegjësitë, duke përjashtuar çdo ndikim të gjinisë.
Për të marrë certifikimin, kompanitë duhet të aplikojnë pranë një organi të akredituar, i cili kryen auditimin e pagave. Kompanitë që nuk përmbushin këto standarde përballen me gjoba deri në 50,000 ISK në ditë (rreth 400 euro). Çdo tre vjet, certifikimi rinovohet për të siguruar vazhdimësinë e barazisë.

A mund të funksionojë në Shqipëri?

Zbatimi i një standardi të ngjashëm si ÍST 85 në Shqipëri do të kërkonte vullnet politik dhe bashkëpunim mes qeverisë, sektorit publik dhe privat, për të përshtatur një sistem auditimi dhe certifikimi të barazisë në paga. Hapi i parë është që kompanitë të detyrohen të publikojnë të dhëna të detajuara për strukturën e pagave sipas gjinisë. Transparenca është një mjet i fuqishëm kundër pabarazisë. Më tej, auditimi i brendshëm i vendimeve për pagat duhet të bëhet standard, duke përjashtuar çdo ndikim të gjinisë dhe duke u bazuar vetëm në kritere objektive: kualifikim, përvojë dhe përgjegjësi.