Presidenti i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit dhe Aksesin në Informacion (ICIC), njëherazi Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i Republikës së Shqipërisë, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar në Prishtinë me rastin e 15-vjetorit të Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe 5-vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, Komisioneri Dervishi vlerësoi rrugëtimin institucional të Agjencisë, duke theksuar se ajo është shndërruar në një institucion kyç në garantimin e dy të drejtave themelore: të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Në cilësinë e Presidentit të ICIC, ai evidentoi rolin gjithnjë e më aktiv të Kosovës në strukturat ndërkombëtare të transparencës, duke veçuar kontributin e Agjencisë në grupet e punës të ICIC, drejtimin e Grupit të Punës për Integritetin e Informacionit, si dhe përfaqësimin në Komitetin Ekzekutiv të Rrjetit Evropian për Transparencë dhe të Drejtën e Informimit.
Komisioneri Dervishi theksoi se rajoni ynë nuk është më vetëm përfitues i standardeve ndërkombëtare, por po kontribuon gjithnjë e më shumë në formësimin e tyre. Ai e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të besimit që komuniteti ndërkombëtar i autoriteteve të informimit po i kushton Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj në avancimin e standardeve të transparencës dhe aksesit në informacion.
Një vlerësim të veçantë ai shprehu për Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve homologe të Shqipërisë dhe Kosovës përfaqëson një model partneriteti të bazuar në besim reciprok, shkëmbim përvojash dhe angazhim të përbashkët në mbrojtje të dy të drejtave themelore: të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Konferencën e përshëndeti znj. Albulena Haxhiu, Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, njëherësh Kryetare e Kuvendit. Ajo theksoi se e drejta e qytetarëve për t’u informuar është një nga shtyllat e demokracisë, pasi u garanton atyre mundësinë të kuptojnë se si merren vendimet, si ushtrohet pushteti dhe si administrohen fondet publike. Haxhiu nënvizoi se transparenca dhe mbrojtja e privatësisë janë dy garanci të pandashme të një shteti demokratik: transparenca e bën pushtetin të përgjegjshëm, ndërsa privatësia mbron qytetarin. Duke vlerësuar punën e Agjencisë, Haxhiu theksoi se, në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike, roli i saj bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi një qytetar i informuar dhe një qytetar i mbrojtur përbëjnë themelin e një republike demokratike.
Në fjalën e saj, Komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku vlerësoi rrugëtimin pesëvjeçar të Agjencisë, duke theksuar se misioni i saj ka qenë ndërtimi i një institucioni modern, transparent dhe në shërbim të qytetarëve. Ajo evidentoi punën në ndërgjegjësimin e publikut për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, ngritjen e kapaciteteve profesionale në administratën publike dhe sektorin privat, si dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe zbatimit të legjislacionit në këto fusha. Duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Komisionerja Sogojeva Dërmaku shprehu mirënjohje të veçantë për Komisionerin Besnik Dervishi dhe institucionin homolog në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Agjencisë. Në përmbyllje të fjalës së saj, ajo theksoi se misioni i Agjencisë nuk matet me kohën që ka kaluar, por me ndikimin që ka krijuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe përgjegjësinë ndaj secilit prej tyre, duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave themelore të qytetarëve është, mbi të gjitha, rikthim i dinjitetit të tyre.
Në konferencë përshëndeti edhe z. Zdravko Vukić, Zëvendëskryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtor i Autoritetit Kroat për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili përgëzoi Agjencinë për rezultatet e arritura dhe vlerësoi progresin e Kosovës në këtë fushë. Ai theksoi se statusi i vëzhguesit në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave përfaqëson një hap të rëndësishëm në afrimin me standardet evropiane, duke rikonfirmuar mbështetjen e EDPB-së për forcimin institucional të Agjencisë dhe për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane.
Konferenca riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në promovimin e transparencës, të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si vlera themelore të shoqërive demokratike.
