As trup. As firmë. As pasaportë. Megjithatë, në Shqipëri, ajo quhet ministre. “Diella”, që nisi si asistente virtuale në portalin shtetëror e-Albania, u shpall pak muaj më vonë nga kryeministri Edi Rama si ministrja e parë virtuale në botë për Inteligjencën Artificiale

E veshur me kostum popullor shqiptar, e ndërtuar mbi algoritme, figura digjitale buzëqesh nga një monitor qeveritar. Kryeministri Edi Rama premtoi një epokë të re, ku “tenderat publikë do të jenë 100% të pakorruptueshëm dhe çdo fond publik 100% transparent.” Për një vend që prej vitesh përballet me korrupsionin, premtimi tingëlloi tepër i njohur.

Ajo flet, buzëqesh, përgjigjet, por është veç një rresht kodi. Pas qetësisë së saj digjitale qëndron një pyetje thellësisht njerëzore: çfarë ndodh me përgjegjësinë, kur pushteti zhvishet nga njeriu?

Anomali kushtetuese

Kur presidenti Bajram Begaj miratoi kabinetin e ri qeveritar, “Diella” mungonte. Kushtetuta thjesht nuk e kishte parashikuar që një anëtare e qeverisë të mos ishte njeri. “Diella”, e shpallur me bujë nga Kryeministri, nuk u shfaq askund – as në letër, as në ligj. Në vend të saj, neni 2 i dekretit i kalonte në heshtje Edi Ramës kontrollin personal mbi “ministren virtuale”, një entitet që ekziston vetëm në kod.

Sipas nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë, çdo anëtar i Këshillit të Ministrave duhet të jetë person fizik – dikush që mund të mendojë, të votojë dhe të mbajë përgjegjësi morale e politike.
“Vetë nocioni i një ‘ministri të inteligjencës artificiale’ nuk ka asnjë bazë në Kushtetutën shqiptare,” – thotë juristi Sokol Hazizaj. “Kuptimi kushtetues i fjalës ‘ministër’ është i pandashëm nga një person fizik dhe nga përgjegjësitë që mbart ai rol. Një minister jep llogari ndaj qytetarëve – diçka që asnjë algoritëm nuk mund ta bëjë.

Sipas Hazizajt, Shqipëria ende nuk ka miratuar asnjë ligj që të rregullojë përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike. Aktet ekzistuese për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për shërbimin civil vetëm prekin sipërfaqshëm çështjet e përgjegjësisë, pa përcaktuar se kush, nëse ka ndonjë – mban përgjegjësi.

Anomali në mbikëqyrje

Që prej prezantimit të saj si “ministre”, qeveria shqiptare nuk ka zbuluar asnjë detaj mbi bazën e trajnimit të “Diellës”, kodin që e përbën apo nivelin e mbikëqyrjes njerëzore mbi të. Në portalin e-Albania, ajo shfaqet ende si një avatar që përshëndet qytetarët dhe jep përgjigje të thjeshta, por në realitet nuk ka asnjë provë se ajo merr vendime.

“Aktualisht, Diella është vetëm një chatbot, jo një sistem autonom,” shpjegon eksperti i IT-së, Besmir Semanaj. “Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në proceset qeveritare nëse trajnohet dhe mbikëqyret siç duhet, por problemi i vërtetë është mungesa e transparencës. Ne nuk dimë mbi cilat të dhëna mbështetet dhe kush mban përgjegjësi për mirëmbajtjen e saj.”

Akti Evropian i vitit 2024 për Inteligjencën Artificiale, i pari i këtij lloji, e klasifikon këtë kategori sistemesh si “me rrezik të lartë.” Në kontekstin evropian, çdo algoritëm që ndikon në administratën publike duhet të shqyrtohet dhe të miratohet nga një vendimmarrës njerëzor, një garanci kundër asaj që Brukseli e quan “automatizim pa përgjegjësi.”

Si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria ende nuk është e detyruar nga këto standarde, por është zotuar t’i përafrojë. “Nëse ndërtojmë sisteme të bazuara në inteligjencë artificiale, duhet të ndërtojmë edhe institucione që i mbikëqyrin dhe i kontrollojnë ato,” paralajmëron Semanaj, “përndryshe rrezikojmë të krijojmë sisteme që askush nuk mund t’i kontrollojë.”

Dikur, Evropa i mësonte botës se pushteti duhet t’i përgjigjet ndërgjegjes. Sot, ajo përpiqet të bëjë që kodi t’i përgjigjet pushtetit.


Gjykimi njerëzor

Më 18 shtator, në seancën e parë të parlamentit të ri, qeveria prezantoi programin për mandatin e katërt. Ajo që pritej të ishte një debat politik zgjati vetëm pak minuta. Sallën e mbuluan britmat, goditjet e tavolinave dhe thirrjet e opozitës.

Kryeministri Edi Rama ndërpreu fjalën e tij për t’i lënë vendin Ministres për Inteligjencën Artificiale.
Ekranet e parlamentit u ndriçuan. Në to u shfaq një figurë digjitale, e veshur me kostum tradicional shqiptar, që u foli deputeteve me një zë sintetik e të qetë:

“Mos më gjykoni nga origjina, por nga funksioni. Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën,” deklaroi Diella.

Pak çaste më vonë, opozita doli jashtë, duke kundërshtuar jo vetëm legjitimitetin e zgjedhjeve, por tashmë edhe realitetin në ekranet e veta. Jashtë parlamentit, qytetarët ende pyesin nëse Diella është një mjet, shaka apo ministër.

Duke i dhënë një algoritmi emrin “ministër”, qeveria e zbehu kufirin mes simbolit dhe funksionit, atë që Artan Fuga, studiues i komunikimit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, e quan “një këputje semiotike midis fjalës dhe pushtetit.”

Fuga e sheh “Diellën” jo si një hap drejt së ardhmes, por si një akt shpërqendrimi politik.

“Rama përdori inteligjencën artificiale për të krijuar një qendër të dytë vëmendjeje,” – thotë ai. “Në vend që të diskutohej legjitimiteti i qeverisë apo programi i saj, opozita e gjeti veten duke debatuar me një avatar.”

Por rreziku, paralajmëron Fuga, shkon përtej teatrit politik.

“Në çdo shoqëri ekzistojnë grupe presioni që mund ta përdorin teknologjinë kundër demokracisë” – shprehet Fuga. 

“Në një kohë kur Shqipëria ende pyet veten nëse zgjedhjet e saj janë realisht të lira, na thuhet se nuk ka më nevojë të kontrollohet qeveria përmes parlamentit, të shprehet vullneti qytetar apo të kërkohet transparencë etike, sepse inteligjenca e ‘pastër’ mund ta bëjë gjithçka. Pikërisht në atë moment, shteti i së drejtës dhe demokracia dalin jashtë loje.”

Gjykimi i fundit

Përtej eksperimentit politik, qëndron një pyetje thelbësore: kush vendos në fund? Teknikisht, Diella një ditë mund të marrë vendime, të analizojë të dhëna, të krahasojë opsione, madje të propozojë se cila ofertë duhet të fitojë një tender publik. Por gjithçka do të varet nga kush e trajnon, çfarë të dhënash i jepen dhe kush e mbikëqyr procesin.

Megjithatë, pyetja nuk është vetëm nëse mundet, por nëse duhet ajo të vendosë?

Të delegosh gjykimin te makineritë, paralajmëron Artan Fuga, do të thotë të heqësh dorë nga reflektimi moral.“Algoritmet nuk kanë vetëdije, emocione, ndjenjë drejtësie apo solidariteti,” – thotë ai. “Ato mund të përpunojnë informacion, por nuk mund të peshojnë pasojat morale. Në momentin që racionaliteti teknik ngrihet mbi llogaridhënien politike, rrezikon të fshihet vetë demokracia.”

Në fund, pyetja nuk është më se çfarë mund të bëjë Diella, por nëse ne ende guxojmë të dyshojmë, të gjykojmë dhe të marrim përgjegjësi. Sepse demokracia, ashtu si ndërgjegjja, ekziston vetëm në çastin e shkurtër përpara se një urdhër të zbatohet.

Ky version është përpunuar nga autorja mbi bazën e artikullit të botuar më parë në DW News dhe DW Shqip