Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, mori pjesë në panelin “Rruga Përpara – Nga komunikimi te Bashkëveprimi”, zhvilluar në kuadër të Samitit të IV të Diasporës në Tiranë.

Në fjalën e saj, Spahiu theksoi se Diaspora mbetet një prioritet i rëndësishëm për punën e qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Ajo nënvizoi se Kuvendi do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të qenë sa më pranë shqiptarëve kudo që jetojnë, duke forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me ta.
“Të gjithë deputetët duhet të kenë lidhje me diasporën. Tek ato dyer që hapen është Shqipëria dhe ne duhet të mbështetemi tek trinomi Qeveri–Parlament–Diasporë, sepse kështu bëhemi më të fortë dhe më të zhvilluar”, u shpreh Spahiu.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu theksoi gjithashtu se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë prestigj ndërkombëtar, falë edhe kontributit të diasporës shqiptare në mbarë botën.
Duke u ndalur te politikat e ardhshme,

Spahiu u shpreh se Strategjia e re për Diasporën 2026–2030 pritet të përfshijë edhe Kuvendin, duke synuar angazhimin e të gjithë aktorëve institucionalë në funksion të një bashkëpunimi më të gjerë. Sipas saj, ky bashkëpunim është thelbësor edhe për realizimin e objektivit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Gjatë diskutimit, Spahiu iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve, duke garantuar gatishmërinë e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare për të bashkëpunuar me diasporën dhe për të adresuar çdo shqetësim apo problematikë të tyre.

Në kuadër të panelit, u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë. I pranishëm në aktivitet ishte edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili vlerësoi rolin e Diasporës dhe u zotua për mbështetje konkrete ndaj mësuesve shqiptarë në diasporë, përfshirë trajnime dhe pagesa, sipas modelit tashmë të zbatuar në Greqi.