Nga Sadet DAUTI
Në një Shqipëri që krenohet për zhvillim, integrim dhe projekte infrastrukturore, ende ekzistojnë zona të tëra që jetojnë në izolim. Jo nga mungesa e vullnetit të njerëzve, por nga mungesa e vëmendjes së shtetit.
Një prej tyre është Golloborda, një ndër krahinat më të bukura, më të pasura në kulturë, traditë dhe histori – por gjithashtu edhe më të braktisura.
Është për t’u përshëndetur ndërtimi i aksit të ri Librazhd-Peshkopi përmes Sebishtit drejt Peshkopisë – një vepër që lidhi dy qarqe, Dibrën me Elbasanin – por ky segment nuk është i aksesueshëm për shumicën e fshatrave kufitarë të Gollobordës.
Një zë i ngritur zyrtarisht, i injoruar në heshtje
Ka ardhur koha që zhvillimi të mos jetë më një premtim, por një realitet. Ka ardhur koha që qeveria shqiptare të kthejë vëmendjen nga fjalët, tek veprat – nga rrugët e propagandës, tek rrugët reale që kërkojnë njerëzit.
Si qytetar i kësaj zone, unë u jam drejtuar zyrtarisht të gjitha instancave shtetërore:
– Platformës qeveritare online,
-Zëvendëskryeministres, njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë,
– dhe vetë Shkëlqesisë së tij, Kryeministër i Shqipërisë.
Përgjigjet që kam marrë janë zhgënjyese, të vakta, pa thelb, pa zgjidhje dhe mbi të gjitha – pa ndjeshmëri ndaj një realiteti të dhimbshëm që nuk mund të fshihet më pas raporteve apo statistikave.
Natyrisht në kërkesat e mia legjitime, në asnjë rast nuk kam kërkuar asgjë për veten time, por për zhvillimin dhe integrimin e merituar të asaj zone ku kam lindur, atje ku jetuan me sakrifica sublime të parët tanë.
Ky është një apel i ndjerë, një letër e hapur dhe një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar, që u drejtohet jo vetëm institucioneve, por gjithë shoqërisë shqiptare.
Rruga Viçisht – Fushë-Studën – Trebisht – Ostren: një damar jetik i prerë
Kjo rrugë nuk duhet të kishte mbetur rrugës… Dikur ky aks rrugor lidhte Dibrën me Librazhdin dhe, që me krijimin e shtetit shqiptar për dekada me radhë e deri para disa muajsh, ka qenë rrugë nacionale.
Në 35 vitet e fundit, për mirëmbajtjen e tij janë akorduar vazhdimisht fonde nga buxheti i shtetit. Por sot, ky aks është praktikisht i pashfrytëzueshëm, duke lënë të izoluar dhjetëra fshatra në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Përshëndesim iniciativën e Bashkisë Bulqizë për ndërtimin e aksit Çerenec – Viçisht dhe për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme në fshatin Ostren i Vogël, si hap konkret dhe i mirëpritur në një zonë që e kërkon me ngulm ndihmën institucionale.
Por, këto nisma të fragmentuara nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemin rrënjësor që e mban Gollobordën të izoluar: mungesën e një aksi funksional që lidh gjithë krahinën me qendrat urbane dhe me kufirin.
Asfaltimi i rrugës Viçisht – Fushë-Studën – Trebisht – Ostren nuk është kërkesë për komoditet, por një nevojë për jetë dhe për zhvillim.
Kjo rrugë do t’u kthente banorëve aksesin tek shërbimet bazë: arsim, shëndetësi, tregje, institucione.
Sot zyrtarisht thuhet se ky aks nuk është më përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi i është kaluar për mirëmbajtje Bashkisë Bulqizë.
Por si mund të hiqet kjo përgjegjësi, kur historikisht dhe për më shumë se tre dekadat e fundit është trajtuar si rrugë kombëtare dhe janë alokuar fonde të vazhdueshme?
A ka mundësi Bashkia Bulqizë të mbulojë një projekt të tillë madhor me një buxhet të kufizuar? Padyshim që jo.
Këtu nuk kemi të bëjmë me mungesë projektesh – por me mungesë vullneti institucional për të parë realitetin e zonave kufitare.
Bashkia, pavarësisht vullnetit, nuk ka as kapacitetet financiare, as burimet njerëzore për një ndërhyrje të tillë.
Ky është një projekt madhor, që kërkon mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria qendrore.
Nuk duhet të ndodhë këto akse rrugore kaq të rëndësishme të hiqen nga tavolina e punës së autoriteteve vendimmarrëse,
Kjo heshtje institucionale është më e dhimbshme se mungesa e rrugës.
Sepse rruga, ndoshta, mund të ndërtohet një ditë – por kur zëri i qytetarit injorohet, aty ndërpritet lidhja me besimin.
***
Natyrshëm më vjen pyetja: pse nuk ishin përfshirë fshatrat e Gollobordës në projektin e 100 fshatrave? Si është e mundur që asnjë nga fshatrat e kësaj krahine – me pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe potencial për turizëm – nuk u përfshi në këtë projekt kombëtar?
A është kjo Shqipëria që kërkon zhvillim të barabartë?
Ky nuk është një shkrim për politikë – është një klithmë për dinjitet. Nuk ka qëllim të sulmojë, por të kujtojë, të nxisë dhe të zgjojë.
***
Një kërkesë e mohuar padrejtësisht: PKK në Miresh
Hapja e pikës së kalimit kufitar në Miresh do të ishte një dritare e re.
Përtej Doganës në Bllatë dhe së fundmi hapjes së Pikës së Kalimit Kufitar në Trebisht, kjo do të ishte një portë e tretë që do e nxirrte Gollobordën nga izolimi, duke hapur rrugë të reja për zhvillim dhe rikthim të jetës ekonomike.
Fshati Miresh ndodhet vetëm 4 km nga segmenti Viçishtit (ku punimet vijojnë dhe së shpejti pritet të asfaltohet) dhe më pak se 2 km brenda territorit të Maqedonisë së Veriut. Ndaj hapja e kësaj Pike Kalimi Kufitar do të ishte një portë natyrore për bashkëpunim ndërkufitar, për shkëmbim ekonomik, turistik e kulturor.
Pikërisht këtu kalonte një nga lidhjet më të vjetra me ish-Jugosllavinë.
Hapja e pikës së kalimit kufitar në Miresh nuk është kërkuar vetëm në letra – por është kërkesë e përsëritur publike e banorëve, e dëshmuar në dhjetëra emisione televizive, peticione dhe nisma qytetare.
Si mundet të thuhet se nuk ka kërkesë, kur është klithmë e përhershme?
Asfaltimi i këtij aksi dhe hapja e Pikës së Kalimit Kufitar në Miresh nuk janë kërkesa luksi, por nevoja minimale që u garantojnë njerëzve të drejtën për të jetuar me dinjitet në tokën e tyre.
Le të mos jenë më “veshë të shurdhër” ata që mbajnë në dorë vendimmarrjen. Le të dëgjojnë zërin e një popullsie që nuk kërkon as më shumë e as më pak se sa të ndjehet pjesë e kësaj Republike.
Golloborda nuk kërkon më premtime – kërkon rrugën. Rrugën që i lidh me jetën, rrugën që u është mohuar prej dekadash.