“Po bisedoja me Blend Klosin dhe po thoshim se nuk kemi pasur asnjëherë një përshëndetje kaq të mirë nga ndërkombëtarët si në këto zgjedhje, e kjo është mjaft e rëndësishme”.
Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, teksa u pyet në lidhje me komentet nga ana e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit.
Balluku ishte e ftuar në studion e emisionit “Breaking” në Top News, ku u shpreh se Partia Demokratike ndodhet në udhëkryq pas 3 humbjeve radhazi. Sipas saj, është e vështirë që të pranohet humbja e PD-së nga Basha apo të tjerët.
“Fitorja e PS-së nuk është më një lajm, pasi është e qartë dhe nuk ka më vend për t’u diskutuar. Tani po diskutohet për dorëheqjen e Bashës dhe drejtues të PD që dalin kundër tij”, tha Balluku.
Moderatorja e njohur, Sidorela Gjoni, e pyetu ministren e Infrastrukturës edhe në lidhje me njohjen e fitores së PS-së nga Monika Kryemadhi dhe rolin e Metës në këto zgjedhje të 25 prillit.
“E para, fakti që institucioni i presidentit është përfshirë në këtë fushatë është shqetësuese. Nuk kemi parë asnjë president më përpara që të kenë pasur një përfshirje në zgjedhje. Është e patolerueshme thirrja për dhunë, më ka lënë pa fjalë dhe jam shqetësuar si qytetare e Republikës së Shqipërisë.
Kam takuar me mijëra njerëz dhe ata duan qeveri që punon dhe i bën ata të kenë një të ardhme më të mirë. Nuk i takon askujt, as një qytetari të thjeshtë të bëjë thirrje për sfurqe, jo më një presidenti”, tha Balluku.
Sipas saj, as partive të tjera apo qytetarëve nuk u intereson nëse jep Krymadhi dorëheqjen dhe në 2022 merr Meta anëtarësinë e LSI-së. Ajo shtoi se janë çështje brenda partisë.
Ndërsa duke komentuar tkurrjen që LSI pati në zgjedhjet e 25 prillit, Balluku tha se kjo vjen për shkak të një sulmi të madh që PD i ka bërë.
“E kam parë në terren këtë. Njerëz të zhgënjyer i janë rikthyer PS. Fakti që kam parë se si strukturat e Partisë Demokratike kanë shkrirë atë të LSI-së, kjo është shqetësuese. Duhet të bëjnë një analizë me njëri-tjerrin për të parë ku janë”, tha ministrja e Infrastrukturës.