Belinda Balluku është kandidatja femër për deputete më e votuara në zgjedhjet e 25 prillit. Sot, kandidatja e Partisë Socialiste ishte e ftuar në emisionin “Breaking” në Top Neës, ku u shpreh se e prisnin fitoren e mandatit të tretë.
Gjithashtu Baluku tregoi se në katër vitet e ardhshme, puna e saj do të fokusohet aty ku do partia. “Do vijoj me të njëjtin ritëm, kudo. Jam person që nuk trembem nga sfidat”, tha kandidatja e PS-së
E prisnit një numër kaq të lartë votash për ju?
Nuk kam qenë e fokusuar për fitoren time personale. Votat kanë qenë nga njerëzit e mi, nga ata që i kam takuar gjatë fushatës elektorale. Por falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Unë kam bërë fushatë në zonën time për Partinë Socialiste dhe morëm një fitore si kurrë më parë.
Në tetor kam shkelur në Kombinat dhe për 6 muaj kam komunikuar me njerëzit atje. Janë të kënaqur me faktin se unë do ti përfaqësoj në Parlament, ata njerëz të njohin punën. Por nuk jam nga ata që harroj se vota preferenciale është vota e PS-së dhe e Edi Ramës. Unë e di se asnjëri nga ne nuk do të kishte aq shumë vota nëse nuk do të ishte Partia Socialiste dhe Edi Rama, jam e qartë dhe me këmbë në tokë.
Si ka qenë fushata juaj, pasi për shkak të postit në ministri keni lëvizur sa nga një vend në tjetrin?
Ka qenë një fushatë intensive. Kanë qenë ditë të ngarkuara që nuk kanë qenë në lidhje me fushatën, si me aeroportin apo kontrollorët, që u zgjidh në mënyrën më të shpejtë. Puna ime nuk ndryshon shumë në ditët e tjera, është e ngarkuar gjithmonë, por kisha plus edhe fushatën.
E prisnit tendencën e votimit për PS-në?
Jemi parti e strukturuar mirë dhe bëjmë projeksione. Ne prisnim fitoren, Rama e ka thënë disa herë se pse prisnim fitoren. Është menaxhuar mirë, kemi pasur tensione në disa zona, jo nga kandidatët por nga kreu i PD-së. Është kaluar çdo gjë me sukses. Gjatë numërimit të votave, trendi në Kombinat ka qenë që në kutinë e parë deri në fund. Vetëm shikonim se si thellohej rezultati.
Strategjia e Ramës me listat u komentua gjatë, e duhet të themi se rezultoi i suksesshëm. Ju çfarë mendoni?
Është e rëndësishme që drejtuesit politik morëm pjesën më të rëndësishme. Ishte një nga zgjedhjet më të mirë që kryeministri ka bërë. Janë mobilizuar të gjitha strukturat e qarqeve dhe kjo tregon se ishte një strategji elektorale që rezultoi e suksesshme.
Pse ishte vendimi që festimi për fitoren të ishte ndryshe? Ju madje u shfaqet së bashku me vajzën
Mua nuk më pëlqen që të bëj publike jetën time personale. Jam munduar gjithmonë që fëmijët ti mbaj larg mediave. Djali është i rritur, 15 vjeç, dhe vendos vetë të dalë apo jo në publik.
Nuk ka qenë asnjë moment që ti përdorja fëmijët për të rritu vota, apo për tu dukur mama e mirë. Belen ka dashur që të jetë prezent me mua në fushatë dhe në ndonjë mbledhje ka qenë e pranishme.
Por pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave, kur u ktheva në shtëpi, Belen kërkoi që të ishte me mua në festën e PS-së.
Ishte moment shumë i bukur, Belen është e tërhequr nga politika, ndryshe nga vëllai. Janë dy arusha të vegjël, por që kanë treguar një mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Kam një jetë shumë të ngarkuar, por dy fëmijë të jashtëzakonshëm. Kanë mirëkuptuar edhe nervat e mia kur nuk i ndihmoja në detyrat e shtëpisë.
Ndërsa për ata zonja që janë pas meje të emocionuara, kemi që në 2007 që punojmë së bashku, gocat aty janë rritur brenda meje në PS, ata e dinë shumë mirë se sa e vështirë është të fitosh. Nga jashtë dëgjon shprehje klishe, por zonjat aty e dinë mirë se çfarë do të thotë se si tu qëndrosh njerëzve pranë.
Ku do fokusohet puna jote në katër vitet e ardhshme?
Në katër vitet e ardhme do jem aty ku do të ketë nevojë partia. Unë di të punoj kudo mirë, cila do fushë, jam shumë e hapur. Jam person që nuk trembem nga sfidat.