Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë me kryetaren e Partisë Konservatore Britanike të kryeministrit Johnson dhe këshilltarin e bordit të tregtisë në Britani, Daniel John Hannan.

Këtë takim veç marrjes së mbështetjes nga partia konservatore pro PD-së, Basha e ka përdorur për të sulmuar qeverinë duke e akuzuar për fshehjen e numrit të viktimave të Covid. Sipas tij, qeveria po fsheh shifrat dhe ka dështuar në lidhje menaxhimin e pandemisë. Po në këtë video bashkëbisedim të ofruar nga vetë PD-ja, Basha u ka deklaruar zyrtarëve të partisë konservatore se është munduar që të organizojë takime sa më të kufizuar duke respektuar rregullat anti Covid.

““Në këtë fushatë ne kemi një sfidë të madhe në fakt. Nga pikëpamja organizative ne kemi qenë shumë të rreptë në organizimin e eventeve që përputhen me masat dhe protokollet anti Covid të një vendi ku gjithçka është në dorë të Zotit dhe e përgjegjësisë individuale…Është përgjegjësia jonë para se gjithash t’u themi njerëzve të kujdesen për veten e tyre dhe të përpiqen të organizojmë një fushatë sa më të përgjegjshme në këtë drejtim”, deklaroi Basha. Ndërsa shtoi se ka kërkuar që të bëjë një fushatë derë më derë.

Por në fakt e vërteta është ndryshme sepse Basha gjatë këtyre 30 ditëve ka organizuar takime të hapura me njerëz dhe me turma duke mos respektuar asnjë lloj distancimi social për të parandaluar përhapjen e Covid. Kjo duket dhe në disa nga foto që janë shpërndarë nga vetë PD-ja në takimet e ndryshme, ku vihet re se personat nuk mbajnë as maska me vete.

Pjesë nga deklarata e Bashës

 “Në këtë fushatë ne kemi një sfidë të madhe në fakt. Nga pikëpamja organizative ne kemi qenë shumë të rreptë në organizimin e eventeve që përputhen me masat dhe protokollet anti Covid të një vendi ku gjithçka është në dorë të Zotit dhe e përgjegjësisë individuale, sepse për sa i përket qeverisë asgjë nuk është bërë.

Qeveria ka aplikuar dhe një strategji të proklamuar të imunitetit të tufës, e cila nuk ka funksionuar dhe për të mbuluar dështimin ata kanë mbuluar numrat (fshehur shifrat), ata kanë ndjekur protokollin e Kremlinit për vërtetuar vdekjet nga Covid dhe jo protokollet e organizatës botërore të shëndetit. Pra në letër ka pesë herë më pak vdekje se sa kanë ndodhur në të vërtetë, sepse nëse shikoni statistikat zyrtare, të cilët tregojnë një numër të tepër të vdekjeve, rreth 10 mijë tani, ata thonë se ka vetëm 2 mijë vdekje nga Covid, pra cilat janë ato rreth 8 mijë shkaqe të pasqaruara dhe të pa deklaruara për vdekjet e tyre nga Covid. E njëjta gjë ndodh edhe për numrin e infeksioneve.

Është përgjegjësia jonë para se gjithash t’u themi njerëzve të Shqipërisë kujdesen për veten e tyre dhe të përpiqen të organizojmë një fushatë sa më të përgjegjshme në këtë drejtim. Ne jemi përpjekur ta menaxhojmë atë, ne jemi përpjekur ta ndalojmë atë. Unë i uroj atyre më të mirën…, përpiqem, të mos i injoroj, sepse nuk mendoj se kjo gjë është e mençur për mbështetësit, të cilët po vijnë aty dhe po japin shpirtin në fushatë, por në të njëjtën kohë duke kufizuar rrezikun e turmës sa të jetë e mundur.