Dy persona janë arrestuar nga policia e Dibrës, pasi u kapën me një shumë të konsiderueshme parash, që dyshohet se po përdoreshin për të blerë vota.
Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit janë shtetasit me inicialet A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Kujtojmë që makina me të cilën ata po qarkullonin dhe ku u gjetën paratë, u bllokua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Atyre iu sekuestrua shuma prej rreth 700 mijë lekësh të reja.
PD nëpërmjet grupit të mbrojtjes së votave, të kryesuar nga Xhelal Mziu kishin akuzuar për këtë PS-në që po blinte votat në zonën e Maqellarës. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Partia Socialiste e Dibrës, e cila e ka hedhur poshtë një lajm të tillë.
“Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim,” përfundon deklarata.
Reagimi i plotë i PS-së
Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste Dibër, informon opinionin publik për sa më poshtë:
PS e Dibrës mbështet pa asnjë rezervë hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit të djeshëm, ku një turmë e orkestruar njerëzish ndaluan një makinë me pretendimin se kishin kapur një votëblerës socialist. Për ne çdo individ që përfshihet apo kryen një krim elektoral nuk ka ngjyrë, po meriton vetëm ndëshkim.
Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.
Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim.
LSI e mohon
Lëvizja Socialiste për Integrim e ka mohuar se personat e kapur janë mbështetës të tyre. “Janë zënë aq ngushtë sa po shesin edhe njëri-tjetrin! Ditën e djeshme të gjithë qytetarët panë me zë dhe figurë sesi eksponentë të “Rilindjes” në Dibër u kapën në flagrancë, gjatë tentativës për të blerë me para në dorë votat e qytetarëve në Maqellarë. Aq ngushtë janë zënë drejtuesit e sektit “Rilindja” në Dibër, #Dionisi & Co, saqë në vend që minimalisht të distancohen ose tek e fundit të heshtin përballë turpit të tyre të faktuar, ata mundohen të sheshin njerëzit e tyre si eksponentë të LSI. Se për kë punojnë, se për kë blejnë vota, dhe se eksponentë të kujt janë këtë e vërtetojnë fotot e mëposhtme, por pa asnjë dyshim do e vërtetojnë edhe organet e hetimit”, thuhet në reagimin e degës së LSI Bulqizës.
Ajo pulbikon dhe fotot ku jepen që personi i ndaluar bën fushatë në PS nëpërmjet rrjeteve sociale.