Gjatë fjalimit të fitores, kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur fare LSI si opozitë. I gjithë mesazhi i shefit të qeverisë iu drejtua Lulzim Bashës dhe PD-së, ku nuk mungoi thirrja për bashkëpunim.

Rama i kërkoi Bashës të pranojë rezultatin, ndërsa tha se e vetmja opozitë është PD-ja, duke injoruar LSI-në.

Kryeministri foli edhe për largimin e mundshëm nga drejtimi i PD i Bashës, por kjo tha se i takon demokratëve.

“Lulzim Basha dhe PD bën fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se të gjitha herët e tjera dhe përtej ndonjë mospajtimi tradicional, demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë. U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë se mund të bënin normalisht. Ky nuk ishte viti i juventinëve por viti ekskluziv i socialistëve. Mesazhi im i sinqertë për Bashën është ky: Pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bërë dot atë që deshe por bëre sa munde. Miq, demokratë, ne jemi më të mirët, ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen. Nuk më takon mua të vendos se si do e mbani ju qëndrimin. Nëse do të jetë apo jo Basha ai që do ju drejtojë kjo është puna juaj. Me apo pa Lulzim Bashën ne e kemi të qartë që e vetmja opozitë është PD. Fitorja e madhe nuk e ndalon shtrirjen e dorës për PD. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm i socialistëve por edhe i demokratëve. Unë dua që Shqipëria të ngjitet në majën ku zoti e deshi”, tha Rama.