Surpriza e këtyre zgjedhjeve të 25 prillit ka qenë kandidatja për deputete për Partinë Demokratike, Andia Ulliri. Ajo është vetëm 22 vjeçe dhe mori 5595 vota.

Sot, Ulliri ishte e ftuar në emisionin “Breaking” në Top Neës, ku komentoi fushatën e saj elektorale dhe u shpreh se do të jetë zëri i të gjithëve, jo vetëm i të rinjve.

Sipas saj, mazhoranca ka përdorur çdo lloj forme duke deformuar rezultatin. “Fushata ka qenë një punë e pashtershme, e imja dhe e ekipit tim. Ka pasur takime individuale dhe me biznesin, e më dhanë favorin që të kem sot këtë lloj rezultati, duke qenë se banorët besuan te ndryshimi, edhe që fryma ishte për ndryshim. Sot madje janë shumë të zhgënjyer nga rezultati. Duke qenë se disa prej tyre i kam takuar, mendoj se ata janë njerëz që vijnë drejt shpresës, vijnë drejt rinisë. Mendojnë që rinia është e ardhmja dhe për ta sot është edhe e tashmja, duke qenë se unë e dëshmoj këtë fakt”, tha 22-vjeçarja.

 Ti je pjesë e asaj rinie që nuk vendos të largohet nga Shqipëria, por të qëndrosh këtu për të ndryshuar Shqipërinë, ose për ta bërë ashtu siç ti mendon se është më mirë. Sa mendon se duhen të përfshihen të rinjtë shqiptarë në politikë?

Të rinjtë shqiptarë duhet të angazhohen sot në politikë, sepse politika është ajo që do të sjellë të mirat e të këqijat e jetës që do të jetojnë. Jeta në Shqipëri është vërtetë e vështirë. Mendoj që në kushtet e sotme mund të themi me plot besim se nuk ka pasur mbështetje të rinisë.

Mendoj se si studente e Shqipërisë dhe e re në Shqipëri, shumë të rinj e kanë humbur se këtu do ta kenë një të ardhme. Kjo vjen nga normat e larta të papunësisë, vjen nga pasiguria e tyre për të patur një jetë më të mirë në shtetin ku jetojnë. Kjo ka qenë edhe thirrja ime që të marrë pjesë për tu angazhuar në politikë dhe për të qenë pjesë e ndryshimit.

Ku mendon se do të bazohet puna juaj duke qenë pjesë e Parlamentit?

Gjatë fushatës kam pasur takime nga më të ndryshmet ku kam parë problematika nga më të ndryshmet do të jem zëri i të gjithëve jo vetëm i të rinjve, ku nuk dinë së ku të adresohen. Dëshira ime është që të përfaqësoj denjësisht rininë.

Çfarë mendojnë familjarët e tu për këtë numër të lartë votash që ke arritur?

Familjarët janë një nga shtysat më të forta. Familjarët më kanë shtyrë të ndërmarr këtë nismë të punojmë fort të ketë një ndryshim e rinia të angazhohet më shumë. Ne kemi pasur mundësinë të vlerësohemi nga Partia Demokratike për kontributet që kemi dhënë dhe nga vetë zoti Basha.

Keni motër ose vëlla? Çfarë mendojnë ata?

Kam dy vëllezër, ata janë shumë të lumtur, ata kanë studiuar jashtë, unë jam i vetmi që studioj këtu. Edhe i vogli është në Itali, por që të dy e kanë potencialet për të ndryshuar dhe gjetur njerëz të mirë. Janë të parët që më kanë shtyrë drejt nismës time.

Unë i vijoj studimet, studioj në Arkitekturë në një universitet privat, por tashëm kam pasion edhe për politikën, për të dhënë një diçka ndryshe.