
Kryeministri Edi Rama, nga sheshi Skënderbej ku ishin mbledhur mijëra simpatizantë të PS, ka falenderuar mbështetësit për besimin që i dhanë për një mandat të tretë në krye të qeverisë.
Rama falenderoi patronazhistët, koordinatorët dhe të gjithë shqiptarët.
“Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist apo coordinator, që u angazhua në këtë fushatë. Ishim kampionë në fuqi, jemi kampionë përsëri. Më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët që kaluan një provë të madhe karakteri. Shqipëria votoi, vendosi, fitoi. FItoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë, si një shtysë për t’I zgjidhur. Fitoi durimi ynë dhe gatishmëri jonë për të derdhur djersë. Fitoi forca më e madhe demokratike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të katër viteve që kemi përpara, duke e bërë natën ditë. Përulësi dhe respekt për këdo, pavarëisht se për kë ka votuar. “, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha edhe ca fjalë emocionuese për nënën e tij të ndjerë.
“Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, me dashuri pa kushte dhe përkujdesje të paepur. Dikush që më mungon tmerrësisht dhe që po shpresoj se më sheh nga aty lart (ngre sytë nga qielli dhe e puth) nëna ime Aneta.”, tha Rama.