Partia Demokratike ka paraqitur sot provat që ajo pretendon se është kryer manipulimi i votave në qarkun e Beratit. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve PD paraqiti disa fakte të reja që pretendon se zgjedhjet e 25 prillit për këtë qark patën shitblerje të votave dhe manipulime.

Përveç blerjes me 50 mijë lekë të votës, blerjes së kuponave për karta identiteti në qarkun e Beratit nga PS, Partia Demokratike paraqiti edhe prova të tjera të rëndësishme që mbështesin kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Beratit.

“Vendimi i PS në Këshillin Bashkiak për shpërndarjen e 10 milionë lekëve për tërmetin në prag të zgjedhjeve. Ky fond nuk ishte parashikuar në buxhetin e bashkisë për këtë vit, por u shpërnda si mënyrë për të blerë vota. PS në Këshillin Bashkiak të Beratit shtyu pagesën e këstit së taksave dhe tarifave deri pas zgjedhjeve. Edhe ky konsiderohet një akt që vendos shtetin në shërbim të PS për të ndikuar në rezultat.  Kapja e furgonit me ndihma nga Rezervat e Shtetit 1 javë përpara zgjedhjeve është provë e perdorimit të burimeve shtetërore për zgjedhjet për të ndryshuar rezultatin  Presioni i nëpunësve civilë per te gjetur secili 30-50 vota per PS-në kembim te vendit te punës.  Vendimi për shtimin e numrit te punonjësve të Bashkisë Berat me 16 persona”, ishin këto prej pesë pretendimeve të paraqitur nga ana e dy përfaqësuesve të PD-së para KAS.

Diferenca e votave për mandatin e 5-te të PS është 77 vota me LSI, ndërkohë që ka 5292 fletë të pavlefshme ose 6.54%.

Por gjatë mbledhjes ka pasur edhe përplasje mes përfaqësuesve të PD-së dhe anëtarëve të KAS dhe konkretisht mes Marash Logu të PD-së me anëtarin Ilir Rusmali. Logu ka pyetur se përse KAS sipas tij nuk merr prova nga prokuroritë. Ndërkohë që kjo akuzë është lëshuar edhe kryetari i PD-së, Basha gjatë turit të tij të takimeve në qytete pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Teksa partitë e opozitës kanë paraqitur provat e tyre lidhur me pretendimet që kanë me procesin zgjedhor, gjatë diskutimeve, nuk kanë munguar as debatet.

Pjesë nga debati

Marash Logu: PD mendon që është shumë e qartë në qëndrimet e saj.

Ilir Rusmali: Mund të na thoni në rrethin e provave që keni për sa raste bëhet fjalë për blerje votash?

Marash Logu: Për të gjitha rastet të shitblerjes së votës kemi depozituar kallëzime penale. Ne kemi denoncuar raste të shumta të blerjes së votave.

Ilir Rusmali: Përgjigjja juaj është raste të shumta, e kam të qartë.

Marash Logu: Kjo është arsyeja që ne i sjellim këto kallëzime që i kemi depozituar që në datën 7 prill. SPAK me siguri ka kryer hetime dhe ne ju kërkojmë vazhdimisht ju që merrni informacion nga prokuroritë. Cila është arsyeja që ju refuzoni të merrni prova nga SPAK?

Ilir Rusmali: Këtë nuk e dini ju.

Marash Logu: Kallëzimi i rremë është vepër penale. Nuk bëjmë ne kallëzime të rrema. Pse refuzoni të merrni prova nga prokuroria?

Ilir Rusmali: Refuzimin dhe pranimin e merr nga trupa. Ke dhënë dy përgjigje. Për mua janë të dyja të mjaftueshme.

Marash Logu: Për 22 rastet që kemi folur, kemi depozituar ato prova që kemi pasur në dispozicion. Kjo është bërë për të lehtësuar punën e KQZ. Ne kemi kërkuar që të merren informacione zyrtare nga institucioni shtetëror. Kuantifikimi që ju kërkoni mund të dalë nëse ju pranoni të administroni prova nga PD.