
Një përplasje e fortë po zhvillohet mes PD-së dhe PS-së. Partia më e madhe e opozitës denoncoi sot nëpërmjet Enkelejd Alibeajt se socialistët po përdorin të dhënat e-Albania për zgjedhjet e 25 prillit, duke përbërë kështu, sipas tij, një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve.
“Në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania. Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK. Ky skandal i paprecedentë cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari, që për të marrë shërbime nga shteti përdor portalin e-Albania. Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje”, tha Alibeaj.
Menjëherë pas këtij qëndrimi ka reaguar numri dy i PS-së, Taulant Balla, i cili e ka cilësuar si shpifje një reagim të tillë. “O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!”, shprehet Balla, i cili postimin e tij në rrjetet sociale e shoqëron me një foto të makinave të PD-së të mbledhur përpara Kalasë në qytetin e Elbasnit, aty ku Basha pati dhe një takim me të rinjtë.