
Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Maliqi, ka treguar përmes një postimi në rrjetet sociale, se kundërshton rezultatin e deritanishëm në Berat, por edhe në gjithë vendin.
Në profilin e tij në “Facebook”, Maliqi shkruan se nuk do të pranojë këto zgjedhje kurrë dhe pikë. Kandidati i LSI-së deklaron se votat e tij janë grabitur dhe se diçka e tmerrshme fshihet.

“Të dashur bashkëqytetarët e mi në qarkun e Beratit. Unë, në respekt të vullnetit tuaj, nuk i pranoj këto zgjedhje, kurrë dhe pikë. Votat e mia janë grabitur, janë blerë, janë manipuluar, nga krimi dhe mafia, për mua jo vetëm në qarkun Berat por në gjithë vendin, diçka e tmerrshme fshihet. Rezultati i deritanishëm është skandaloz dhe i pavërtetë. Mbetem më i fortë se kurrë, besoj që e vërteta do të zbardhet, dhe ndëshkimi do të jetë i rëndë. Vazhdoj me kokën lart dhe me besim në Zot, drejt sfidave reale me fitore kundër krimit, drogës dhe mafies”, shkruan Maliqi.