Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, në një deklaratë për mediat është shprehur se nuk ka pasur asnjë problematikë në shpërndarjen e materialeve të votimit.

Hoxha ndër të tjera në fjalën e saj ka theksuar se vonesat që janë konstatuar deri më tani në disa qendra votimi janë për shkak të pajisjes së identifikimit. Sipas saj, përdorimi i pajisjes së identifikimit deri më tani ka dështuar në rreth 100 qendra votimi.

“Probleme me identifikimin elektronik ka pasur në disa zona të thella ku ka qenë e pamundur mbërritja e operatorëve dhe procesi i votimit vijon në mënyrën që është bërë gjithmonë.

Por megjithatë s’ka pasur probleme. Janë rreth 100 qendra votimit pa operatorë dhe ka filluar votimi si gjithmonë. Deri tani ka pasur disa problematika në disa qendra. Në rreth 230 qendra votimi ka pasur probleme për shkak të presionit ose për shkak të trajnimit për shkak të identifikimit elektronik, por KQZ ka marrë të gjithë masat e nevojshme.

S’ka pasur problematika me kamerat në qendrat e votimit. Edhe kur s’ka energji elektrike ofrojnë monitorim edhe gjatë asaj periudhe”, ka thënë Hoxhaj.