Një numër rekord emigrantësh kanë kaluar këtë vit Kanalin Anglez me gomone. Ndërsa dje (14 dhjetor), në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një ngjarje tragjike, ku një gomone është fundosur dhe si pasojë 4 persona kanë humbur jetën dhe 42 kanë shpëtuar.
Të shpëtuarit janë dërguar në Mbretërinë e Bashkuar. Mësohet se mes të shpëtuarve është edhe një shqiptarë i quajtur Denis , por identiteti i tij i plote nuk është bërë i ditur.
Sa emigrantë kalojnë Kanalin?
Më shumë se 40,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla ose gomone në vitin 2022. Ky është numri më i lartë që nga viti 2018. Në vitin 2021, totali ishte 28.526 persona, ndërsa në vitin 2020 ishte 8.404
Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” nga Anglia ishte gazetari, Martin Kiri. Ky i fundit u shpreh se katër është numri i viktimave dhe duket se është bilanci përfundimtar.
Intervista:
Katër viktima ka deri tani, dyshohet për të tjerë?
Katër viktima, duket se është bilanci përfundimtar. Ka pasur kërkime gjatë gjithë natës, për të gjetur fatkeqësisht jo të mbijetuar për shkak të temperaturave të ulëta në det.
Gomonia ka qenë e ngarkuar me mbi 40 persona. Akoma nuk është bërë i ditur gjinia dhe kombësia e tyre. Por flitet se personat që kanë qenë në gomone janë nga Senegali, India dhe Iraku kryesisht.
Ka dyshime që mund të kenë qenë më shumë? Nuk ka dhënë njeri numër të saktë?
Mbase vetëm trafikantët mund ta dinë numrin e saktë, pasi kanë marrë lekët.
Mediat italiane shkruanin se ka pasur 7 viktima dhe më pas ra në 4, si është e vërteta?
Mediat italiane nuk e di nga e kanë marrë informacionin. Autoritetet britanike nuk e dinë sa kanë qenë në bord dhe kanë frikë se mos ka pasur më shumë. Prandaj nuk i kanë ndalë kërkimet.
Personat në spital kanë pasur komplikime, por fatmirësisht nuk kanë ndërruar jetë. Operacioni ka qenë mjaft i gjerë dhe i menjëhershëm sapo është dhënë sinjali. Forcat janë mobilizuar dhe kanë shkuar menjëherë për të dhënë ndihmën. Anijet e peshkimit kanë qenë të parët që kanë dhënë ndihmën.