Bekim Memeti është shqiptari i cili është arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Maqedoninë e Veriut, teksa po transportohej në spitalin “Nënë Tereza”.

Memeti ishte dënuar me 40 vjet burg për një vrasje të kryer në vitin 2016 në Reçicë të Vogël të Tetovës, zbulon Telma. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy grupeve kundërshtare, në Mala Reçiçë, ku dyshohet se Memeti ka qëlluar një person për vdekje.

Memeti fillimisht u dënua në mungesë, ndërsa në vitin 2020 u arrestua në Berlin të Gjermanisë dhe më pas u ekstradua. Procedura u përsërit në gjykatë dhe u dënua sërish me burg të gjatë.

Mbrëmjen e djeshme, në rrethana të çuditshme Memeti  ka arritur të arratiset nga një furgon i policisë së burgjeve rrugës për në spital. Mësohet se Memeti ka arritur t’i marrë armën drejtuesit të furgonit pavarësisht pranisë së tre punonjësve të tjerë të burgut, ka plagosur rojen e burgut me armën e shërbimit dhe është arratisur me një makinë që ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Arratisja u raportua në orën 23:30 të mbrëmjes së djeshme.