Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim. Në një postim në rrjete sociale, numri dy i socialistëve bën me dije se zgjedhjet e 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit.
Gjiknuri tha se e ka garantuar ambasadoren e SHBA-së për vendosmërinë e PS për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
“Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim. Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.”-ka shkruar Gjiknuri në Facebook.
Pas takimit me Gjiknurin, Yuri Kim është takuar edhe me Enkelejd Alibeajn në orën 11:30. Takimi mes Yuri Kim dhe Enkelejd Alibeaj është zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Kryesinë e Kuvendit.
Më pas ajo do të takohet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.