Nis zbatimi i planit të masave nga Policia e Shtetit për mbarëvatjen e protestës, ndërsa disa rrugë janë bllokuar ashtu siç ishte njoftuar që dje.
Përballë Kryeministrisë po vendosen punonjës të policisë, ndërsa nuk ka indicie për ndonjë skenar të mundshëm për dhunë.
Siç shihet dhe nga pamjet, situata para Kryeministrisë është e qetë, ndërkohë më vonë pritet të vendoset edhe kordoni i policisë para kësaj godine shtetërore, e cila do të jetë edhe epiqendra e akuzave të protestës së sotme të opozitës.
Nga ora 06:00 e mëngjesit (11 shkurt) nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Një ditë para protestës, Berisha-Policisë: Çdo protestues i lënduar, konsiderohet i persekutuar politik…
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.